Kosova

Nesër nis aplikimi i diasporës për të votuar në zgjedhjet lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka përcaktuar afatet kohore të periudhave të ndryshme zgjedhore. Në këtë drejtim, vetëm për periudhën e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës janë vendosur 40 ditë në dispozicion të votuesve jashtë vendit, transmeton albinfo.ch.

Mësohet se nga 10 korriku deri më 18 gusht, për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës mund të aplikojnë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se për t’u regjistruar mund të aplikojnë edhe ata/ato që nuk kanë shtetësinë e Republikës së Kosovës, por që kanë të drejtë të jenë shtetas të Republikës së Kosovës sipas ligjit për shtetësi.

“Të gjithë aplikuesit që plotësojnë kriteret ligjore, pra që arrijnë të regjistrohen si votues jashtë Kosovës, do të mund të votojnë përmes postës në këto zgjedhje”.

KQZ-ja ka vendosur 31 ditë në dispozicion të kësaj periudha, pra nga data 15 shtator deri më 15 tetor.

“Duke u mbështetur në rregullën zgjedhore për votimin jashtë vendit, është detyrë e KQZ-së që të përpilojë listën votuese jashtë Kosovës. Kjo listë duhet të përmbajë të dhënat e atyre votuese që me sukses janë regjistruar për votim jashtë Kosovës dhe t’i largojë emrat e tyre nga lista votuese që shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve”.

Tutje Elezi tha se ndryshe nga zgjedhjet e fundit, kur KQZ-ja kishte vendosur që t’i telefononte për verifikim të gjithë aplikuesit, përmes udhëzimit të ri, mënyra e verifikimit ka pësuar disa ndryshime. Udhëzimi administrativ, i miratuar gjatë zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, është shfuqizuar nga KQZ-ja.

“KQZ-ja do të verifikojë 2 për qind të aplikuesve të aprovuar me metodën e përzgjedhjes së rastësishme. KQZ-ja do të verifikojë edhe rastet kur i njëjti numër i telefonit përdoret në më shumë se një aplikacion me mbiemra të ndryshëm apo në rastet kur në një adresë elektronike përdoret në më shumë se një aplikacion me mbiemra të ndryshëm”.

Të gjitha këto raste, KQZ-ja do t’i verifikojë përmes thirrjeve telefonike.