Lajme

Këto do të jenë rregullat për votuesit nga diaspora

"Të lejohet aplikimi elektronik"

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar udhëzimin e ri administrativ, i cili përcakton mënyrën se si do të bëhet verifikimi i aplikacioneve për regjistrimin e votuesve jashtë vendit, transmeton albinfo.ch.

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka kërkuar futjen e një neni që lejon aplikim ‘online’ të aplikuesve jashtë vendit, porse një gjë e tillë u tha se nuk parashihet me ligj.

“Propozimi im është që të futet edhe një nen në këtë udhëzim administrativ që e lejon aplikimin elektronik ose ‘online’ të aplikuesve jashtë vendit. Kjo bëhet duke e futur në mënyrë elektronike formularin që e kemi miratuar sot, janë dy formularë… Ne mendojmë se ky është një mjet, mekanizëm që e lehtëson punën deri në një përmasë që ne nuk mund ta marrim me mend. Asnjë nga aplikacionet nuk duhet të shtypet fizikisht, kjo e rrit sigurinë e aplikimit, sepse të dhënat kryesore automatikisht përmes sistemit elektronik përputhen me listën e votuesve”, propozoi Kurteshi.

Lidhur me këtë, juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, ka potencuar se çështjet që janë të parapara me ligj nuk mund të futen në veprim konkret, sepse nuk mund të funksionojnë as juridikisht.

Ai thotë se duhet t’u lehtësohen mërgimtarëve çështjet të cilat shteti duhet t’i kryejë për ta.

“Votimi në mërgim bëhet në përfaqësi dhe në shoqata. Çështjet që nuk janë te rregulluar me ligj, pavarësisht nga rregullsia e tyre, nuk mund të futen në veprim konkret. Ka shumë çështje që janë të rregullta. Por, ato nuk janë të rregulluara me ligj dhe nuk funksionojnë juridikisht. Demokracia në Kosovë është e re, ajo jeton qe dy decenje. Ende jemi larg rregullimit të shtetit në çdo fushë në mënyrë juridike. Dua këtu të theksoj se mërgatës duhet domosdo t’i lehtësohen çështjet që shteti duhet t’i kryejnë për ta”, tha ai.

Më tej Kelmendi ka përmendur këto çështje, që sipas tij është rregullimi i dokumente në mënyrë elektronike, gjë që me këtë iu lehtësohet koha dhe paraja, madje sipas tij edhe votimi me postë duhet të bëhet në përfaqësitë e shtetit të Kosovës.

“Janë dy çështje me rëndësi: 1. Çështja e rregullimit të dokumenteve në mënyrë elektronike pa vajtur te zyret dhe 2. Çështja e votimit. Te rasti i parë ka mundësi shteti me mënyrë elektronike të i organizohet lëshimin e dokumenteve. Me këtë i lehtësohet shumë mërgimtarit koha dhe paraja. Te votimi ka rëndësi sistemi që aplikohet. Në sistemin elektronik votimi bëhet nëpër ambasada a konsullata dhe regjistrimi bëhet në mënyrë automatike në brenda vendit. Edhe votimi me postë duhet domosdo të bëhet në përfaqësitë e shtetit tone”, shtoi Kelmendi.

Më tej ka potencuar se duhet punuar për lehtësimin e votimit, që të votojnë sa më afër përfaqësive, madje sipas Kelmendit, ka raste kur votohet edhe në shoqata.

“Ndërsa, regjistrimi duhet të jetë i njëjtë si brenda vendit. Jashtë lejohet votimi me post dhe me votim në përfaqësitë e shtetit, nuk duhet lejuar një byrokraci të gjerë dhe të mundimshme. Duhet punuar në mënyrën e lehtësimit të votimit. Mërgimtarit duhet krijuar kushtet që me ata sa më afër pranë përfaqësive të votojnë. Ka raste kur votohet edhe nëpër shoqata etj. Janë këto mënyra të votimit që domosdo duhet të futen në veprim”, përfundoi ai.