Shqipëria

Gazeta franceze për Shqipërinë: Një nga gurët e çmuar të Adriatikut

Megjithatë, Shqipëria ka më shumë se 2 000 vjet histori, një kulturë unike, qytete antike dhe peizazhe të larmishme. Në veri, male dhe lugina të thella. Në qendër, qytete. Në perëndim, kryeqyteti aktiv, Tirana. Në jug, bregdet dhe plazhe, rajoni më turistik i vendit

Me ujërat e tij të bruzta, plazhet e bardha, fshatrat në majë të kodrave dhe rrezet e vazhdueshme të diellit, bregdeti jugperëndimor i Shqipërisë është shtëpia e disa prej plazheve më të mira në Gadishullin Ballkanik, shkruan Thibault Petit për gazetën e njohur franceze “Le Figaro”.

Le të tregohemi të sinqertë. Çfarë dimë ne për Shqipërinë? Dimë për diktaturën e saj komuniste, makinat e vjetra ”Mercedes”, bunkerët dhe ndoshta shkrimtarin e shkëlqyer Ismail Kadare dhe kaq.

Megjithatë, Shqipëria ka më shumë se 2 000 vjet histori, një kulturë unike, qytete antike dhe peizazhe të larmishme. Në veri, male dhe lugina të thella. Në qendër, qytete. Në perëndim, kryeqyteti aktiv, Tirana. Në jug, bregdet dhe plazhe, rajoni më turistik i vendit.

Shqipëria është një nga gurët e çmuar më të ruajtur mirë të Adriatikut.

Qafa e Llogarasë, midis qiellit dhe detit

Jul Cezari atje ”theu dhëmbët”. Ishte viti 48 para Krishtit dhe kalimi ishte i mbuluar nga bora. Rruga është shtruar që atëherë.

Qafa e Llogarasë është legjendare në shumë mënyra.

Së pari, sepse romakët shkuan atje.

Së dyti, sepse shënon hyrjen në Rivierën Shqiptare.

Në çdo hap, një pamje mbi Detin Jon, plazhet dhe fshatrat, një nga panoramat më të bukura në vend.

Qafa ndodhet në Parkun Kombëtar të Llogarasë. Vendi ofron shëtitje të bukura malore.

Dhërmiu, margaritari i detit Jon

“Perla e bregdetit”, kështu e quajmë ne. Kuptohet shumë mirë: ujë i pastër, plazhe me guralecë dhe bare pothuajse në ujë.

Dhërmiu është një nga vendpushimet më të njohura bregdetare. Ka infrastrukturë cilësore dhe një ambient ëndërr.

Një tjetër përparësi: plazhi shtrihet me kilometra. Nuk ka vend në anë të qytetit? Ecni në jug, do të gjeni hapësira të shkreta, ujëra të tejdukshëm dhe një mjedis të jashtëzakonshëm. Rreth teje, një mal i vërtetë, që arrin maja mbi 2 000 metra.

Dhërmiu është vend bregdetar, por edhe një qytet i vjetër. Ngjituni atje lart dhe shëtisni pak: do të gjeni rrugë me kalldrëm, shtëpi prej guri, fiq, hardhi dhe trëndafila të lulëzuar. Fshati ka më shumë se 30 kisha ortodokse, përfshirë Manastirin e Panajasë, në kodër. Brenda, afreske të bukura të shekullit XVI.

Poshtë fshatit, dy plazhe: ai i Dhërmiut dhe ai i Dhralës. Më në veri, plazhi i Drimadhës është shumë i bukur, por edhe shumë i gjallë. Akoma pak më sipër, plazhi i famshëm i Palasës. Në mes, gjendet një liman i vogël, i izoluar dhe i pambushur me njerëz, që arrihet duke u ngjitur mbi disa shkëmbinj.

Kanioni i Gjipesë dhe plazhi i tij i fshehur

Është paksa i largët, diskret, më pak i frekuentuar. Këtu nuk ka klube të zhurmshme apo atmosferë feste, vetëm disa çadra dhe një lokal i vogël.

Plazhi i Gjipesë është një nga më të bukurit në Shqipëri. 400 metra guralecë, ujë i pastër dhe shkëmbinj përreth. Ideal për not, qetësi dhe shëtitje.

Faqja e shkëmbit pritet nga një kanion mbresëlënës.

Himara

Himara ka 2 800 banorë, dalje direkte në det, plazhe të shumta, por edhe një qytet të vjetër të fortifikuar, Kastro, 180 metra mbi det. Atje lart, kisha bizantine, rrugica tipike dhe një panoramë e mrekullueshme. Mund të shohim bregdetin dhe madje edhe një pjesë të Greqisë, ishullin e Korfuzit, pikërisht përballë.

Plazhi i Spillesë është shumë i frekuentuar. Gjatë rrugës për në hyrje të qytetit gjeni lehtësisht plazhin e vogël të Sfajos.

Në një shtrirje të gjatë rëre me bare dhe restorante, plazhi i Potamit ndodhet 1,5 kilometra në jug të Himarës.

Zona e famshme e zhytjes, katër kilometra në jug të Himarës, plazhi i Llamanit është 200 metra i gjatë.

Plazhi i famshëm dhe i madh i Livadhit është rreth katër kilometra larg Himarës dhe lehtësisht i arritshëm.

Më në fund, një plazh i izoluar: Akarium mbi Livadh. Para se të mbërrini në Livadh, ecni për 30 minuta në drejtim të veriperëndimit.

Porto Palermo dhe Qeparoi, të qetë dhe autentikë

Asnjë banor, asnjë popullsi, asnjeri: zyrtarisht, Porto Palermo është pjesë e qytetit fqinj, Himarës, por vetëm zyrtarisht ama.

Në fakt, zona meriton një vizitë më vete. Nga lart, duket si një atol, i rrumbullakët dhe i mbështjellë me ujë të pastër. Nga poshtë, faqja të fton për not dhe eksplorim. Është një gji i mrekullueshëm dhe i virgjër.

Porto Palermo citohet rregullisht ndër destinacionet më të bukura në Europë.

Njerëzit shkojnë atje për të notuar në istmin me rërë, për të eksploruar kështjellën e Ali Pashës dhe për të vizituar një fshat tjetër aty afër, Qeparoin, që konsiderohet si më i bukuri në Rivierë.

Qeparoi është një Shqipëri autentike, një pamje që të lë pa frymë mbi gjirin detar dhe qetësinë e malit.

Pak më tej, ju do të gjeni një hapësirë ​​plazhi prej pesë kilometrash të gjatë, Borshin.

Saranda, gjiri dhe rrethinat e saj

Le të jemi të qartë, Saranda është qyteti më turistik në vend: 17 000 banorë, një port, ndërtesa dhe një gji të rrethuar me beton.

Njerëzit vijnë këtu kryesisht për të shijuar plazhin dhe infrastrukturën.

Së pari, shkoni te burimi Syri i Kaltër, rreth 20 kilometra larg. Atje, një ujë i mrekullueshëm jeshil në blu del në sipërfaqe.

Gjatë kthimit, ndaloni në manastirin e Shën Nikollës të Mesopotamit, një nga kishat më të mëdha bizantine në Ballkan, me muret e tij mbi 10 metra të lartë dhe katër kupola.

Më në fund, ngjituni në Kështjellën e Lëkurësit, një fortesë osmane e ndërtuar për të kontrolluar rajonin. Në vend, pamja shtrihet në Sarandë, Korfuz, në brendësi të vendit dhe Butrint.

Rreth 15 kilometra më në jug, është e pamundur të mos përmendësh Ksamilin, shtëpia e disa prej plazheve më të bukura në vend, por edhe më të frekuentuara.

Butrinti, antik dhe mitologjik

Është vendbanimi më i bukur në Shqipëri. Ai ka frymëzuar Rasinin, Virgjilin, lord Bajronin dhe Eugjen Delakruanë. Qyteti antik i Butrintit është magjik. I themeluar pas Luftës së Trojës nga Enea, djali i vetëm i mbijetuar i mbretit Priam.

Për UNESCO-n, ky vend përbën një “mikrokozmos të historisë së Mesdheut”.

Përreth, kodra të pyllëzuara, dy liqene dhe ngushtica strategjike e Korfuzit. Rajoni u shpall park kombëtar në vitin 2000.

Gjirokastra, qyteti i bukur me arkitekturë osmane

Nga larg, ajo duket paksa e ashpër, e zymtë, e shuar. Shtëpitë grumbullohen njëra me tjetrën dhe duken gri, si kështjella në majë, të forta dhe të rrepta, por, sapo të hyni brenda, do të ndryshoni përshtypje. Fasada të bardha, rrugë me kalldrëm, lokale miqësore, kafene të gjallëruara, jetë e vërtetë në fshat dhe një xhami që duhet të vizitohet.

Gjirokastra konsiderohet qyteti më i bukur në Shqipëri.

Nëse ecni për 15 minuta në lindje do të hasni vendin më të rëndësishëm të qytetit, Kalanë e Gjirokastrës, që është një masiv  600 metra i gjatë, me daljen e saj shkëmbore të ndërtuar nga bizantinët në shekullin V dhe më pas i përforcuar nga osmanët.