Shqipëria

Shqiptarët duan të largohen, në 30 vjet diaspora arriti në 1.7 milionë

46% e shqiptarëve duan të largohen, zënë vendin e parë në Ballkan për dëshirën për të emigruar

Para pak ditësh ka përfunduar një anketë nga barometri i Ballkanit 2021, ku 46% e të anketuarve nga Shqipëria dëshirojnë të largohen për të jetuar e punuar jashtë vendit, përcjell albinfo.ch.

Vlen të theksohet se menjëherë pas shqiptarëve, dëshirën më të lartë për të emigruar e kanë malazezët me 45% , boshnjakët me 39%, Serbia me 35% dhe Kosova me 32%. Maqedonia e Veriut zë përqindjen më të ulët të dëshirës për emigrim në raport me vendet e tjera, me 27%.

Ndërkohë te shqiptarët që duan të largohen, 69% e tyre preferojnë një nga vendet e Bashkimit Evropian, 26% Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 4% vendet e Ballkanit perëndimor.

Mbeten papunësia dhe situata ekonomike si shqetësimet kryesore që nxisin dëshirën për të emigruar. Në fakt, papunësia shihet si problem kryesor në Shqipëri për 69% e të pyeturve, ndërsa shqetësim mbetet edhe kujdesi shëndetësor.

Referuar të dhënave nga Instituti i statistikave, numri i shqiptarëve të larguar për të jetuar jashtë vendit gjatë periudhës 1990-2020 arriti në 1.7 milionë persona.

Në dekadën e fundit nga vendi, çdo vit janë larguar mesatarisht 42 mijë persona, duke e rritur gjithnjë e më shumë diasporën shqiptare.