Kosova

Nënshkruhet marrëveshja për policën e sigurimit për mërgimtarët

Sot ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka nënshkruar marrëveshjen për pagesën e policës së sigurimit për bashkatdhetarët dhe të huajt që hyjnë në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Me këtë marrëveshje, Qeveria e Kosovës merr përsipër mbulimin e plotë të primit të sigurimit kufitar për palët që janë subjekt i policës kufitare dhe që do të hyjnë në Kosovë përgjatë vitit 2021.

“Në bazë të kësaj marrëveshjeje pagesa e primit të policës së sigurimit do të bëhet për të gjitha autoveturat dhe motoçikletat që hynë në pikat kufitare të Republikës së Kosovës dhe do të mbulohet 100 % nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Kjo marrëveshje e bashkëpunimit është lidhur mes Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Bankës Qendrore të Kosovës dhe Byrosë Kosovare të Sigurimit.