Shqipëria
Nga debati për rërën, te krismat: Si ndodhi tragjedia e Velipojës?
Pikënisja për gjithçka ka qenë një sherr me disa shezlogë në plazhin e Velipojës
Një konflikt verbal mes dy familjeve në Velipojë të Shkodrës do të kthehej në tragjedi mesnatën e djeshme, duke tronditur gjithë vendin. 4 persona, mes tyre dy vëllezër dhe një i ri vetëm 20 vjeç u vranë nga breshëria e plumbave.
Pikënisja për gjithçka ka qenë një sherr me disa shezlogë në plazhin e Velipojës.
Ndërsa të plagosur kanë mbetur H. Ferracaku dhe E. Tyli. Ky i fundit vetëm 17 vjeç. I gjithë konflikti ka nisur teksa dy familjet Gocaj, pronarë të hotel “Gocaj” dhe Ferracaku, që zotërojnë hotel “Fantazia”, po ndanin rërën për të vendosur çadrat e plazhit. Të dy hotelet ndodhen nga njëri-tjetri në një distancë prej 50 metrash, shkruan gazeta Mapo.al, transmeton Albinfo.ch.
Gjithçka nisi si një konflikt verbal, më pas palët nxorën armët dhe i morën jetën njëri-tjetrit. Mes viktimave është edhe M. Zeneli, punonjës i shezlogëve dhe kamarier te hoteli i vëllezërve Gocaj, vetëm 20 vjeç.
Mendohet se në vendin e ngjarjes është shtënë nga disa armë, ndërsa FNSH dhe RENEA-t po krehin zonën duke kërkuar të përfshirët e tjerë në konflikt. Deri më tani janë sekuestruar kamerat e sigurisë të dy hoteleve për të krijuar një panoramë më të qartë të ngjarjes së rëndë.
Dinamika e krimit të rëndë hap pas hapi
Ferracaku shkoi të sqaronte sherrin te Gocajt
K.Ferracaku, i shoqëruar nga vëllai i tij, H. Ferracaku, të shoqëruar edhe nga disa persona të tjerë, shkuan të sqaronin sherrin për rërën te pronarët e hotelit Gocaj, Xhovani dhe E. Gocaj. Mes dy familjeve kishte pasur më herët debate dhe përplasje verbale për vendosjen e çadrave të plazhit, në hapësirën përpara hotelit. Të dy familjet pretendonin pronësinë e rërës dhe akuzonin njëri-tjetrin se kishin zënë hapësirën. Edhe dje pasdite mes dy familjeve ka pasur fërkime, ndërsa nuk kanë munguar edhe konfrontimet fizike. Por, më e keqja nuk kishte ardhur ende. Në vend të fjalëve dhe sqarimit për çështjen që kishte sjellë konfliktin, palët nxjerrin armët dhe shkrehin karikatorët drejt njëri-tjetrit, duke sjellë atë që tashmë njihet si tragjedia e Velipojës.
Nga përplasja me armë u vranë dy vëllezërit Gocaj
Xh Gocaj, 25 vjeç dhe E. Gocaj 38 vjeç, janë dy vëllezërit, pronarë të hotel “Gocaj” në Velipojë, që u vranë mbrëmjen e kaluar, gjatë konfliktit me fisin Ferracaku. Babai i dy vëllezërve, i përlotur, foli sot për mediat, ku deklaroi se K. e H. Ferracaku kishin shkuar te hoteli të armatosur dhe jo për të biseduar për zgjidhjen e konfliktit. Ai tha se i pari që është qëlluar me armë zjarri ka qenë djali i tij i madh, E. Gocaj, i cili me letra angleze ishte kthyer në Velipojë për të investuar. Në këtë përplasje humbi jetën edhe punonjësi i hotelit “Gocaj”, M. Zeneli, i cili ishte kamarier, si dhe K. Ferracaku, vëllai i H. Ferracakut dhe babai i të ekzekutuarit më 2018, A. Ferracaku.
K.Ferracaku, babai i A. Ferracakut, i vrarë më 2018
Viktimë e ngjarjes së djeshme mbeti K. Ferracaku, pronar i hotel “Fantazia” në Velipojë. Ai është babai i A. Ferracakut, i ekzekutuar gjithashtu në prill të 2018-ës, teksa po bënte gara me kuaj në fushën e hipizmit në Shkodër. Ai u qëllua me breshëri kallashnikovi nga një person i paidentifikuar. Ngjarja dhe autorët mbeten të pazbardhur edhe sot e kësaj dite, por shkaqet mendohen se lidhen me konfliktet mes familjeve të përfshira në biznese të ndryshme dhe në ndarjen e bregdetit të Velipojës, i cili prej vitesh është kthyer në mollë sherri.
Viktimë edhe një 20-vjeçar
Dita e parë e punës do të ishte dhe e fundit për M. Zenelin! 20-vjeçari është një prej viktimave të ngjarjes tragjike në Velipojë. Ai kishte nisur punën si kamarier në Hotel “Gocaj” ditën e djeshme dhe fatkeqësisht dita e parë e punës e tij do të ishte edhe dita e fundit e jetës për të. Zeneli ndodhej prezent kur dy familjet Ferracaku dhe Gocaj janë konfliktuar me armë, ndërkohë që si pasojë e plagëve nuk ka mundur të mbijetojë.
E-Diaspora
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka...
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
Jeta në Zvicër
-
Nesër, mbyllja e stacioneve të trenit të Gjenevës Nëse planifikoni të udhëtoni me tren për në Gjenevë ose nga Gjeneva nesër ose të dielën,...
-
Zvicër: Dita e sotme shënon fillimin e javës së ‘Black Friday’
-
Zvicër: Aksident mes mjetit ushtarak dhe autobusit
-
Bora shkaktoi rreth 150 aksidente në kantonin e Cyrihut
-
Mbi 600 thirrje urgjente janë pranuar vetëm në kantonin e Lucernit për shkak të borës