Shqipëria

Shqiptarët, më pesimistët në rajon për të ardhmen

Populli shqiptar rezulton më pesimisti në rajon për të ardhmen, në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit për vitin 2020, përcjell albinfo.ch.

Referuar rezultateve të Barometrit Ballkanik që u publikuan sot në Tiranë nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, treguan se pakënaqësitë e shqiptarëve me jetën ranë ndjeshëm gjatë vitit 2020, por niveli i pesimizmit për të ardhmen u rrit rekord.

Përveçse me pesimistët në rajon, indeksi shënoi përkeqësim edhe me vetveten. Më 2019 indeksi i optimizmit për të ardhmen shënoi 50 për qind, por gjatë viti 2020 është përkeqësuar ndjeshëm, duke shënuar gjithashtu edhe nivelin më të ulët që nga viti 2014, që nga fillimi i matjeve nga Barometri i Ballkanit.

Në një hark kohor prej 7 vjetësh, indeksi për kënaqësinë ndaj jetës në rajon u rrit mesatarisht (46% më 2020 në krahasim me 35% në 2014).

Përkundër situatës së paparë pandemike, ndjesitë e popullsisë në Ballkan dhe perspektiva e situatës ekonomike mbetën të pandryshuara, krahasuar me vitin 2019 (46%).

Indeksi i kënaqësisë me aktualitetin në Shqipëri shënoi 38%, duke qëndruar në të njëjtin nivel si më 2019, por 3 pikë poshtë mesatares rajonale

Ndërsa ndjesia e publikut për situatën aktuale në rajon mbetet e lartë (41%, nga 40% në 2019), pritjet për të ardhmen kanë rënë ndjeshëm (28% krahasuar me 55% në 2019). Shqipëria është ekonomia me rënien më të madhe e pritshmerive për të ardhmen.

Nga një nivel mbi mesataren e optimizmit, Shqipëria jo vetëm përgjysmoi perspektivën e saj optimiste, por gjithashtu regjistroi nivelin më të ulët të pritshmërive për të ardhmen gjatë shtatë viteve të fundit, si në atë kombëtar, ashtu edhe niveli rajonal (20% nga 56% në 2014).

Kosova ka pritshmëritë më të larta në rajon, megjithëse ato janë përgjysmuar në vitin 2020 (35% nga 67% më 2019).

Indeksi i Ndjesive Të Publikut në Ballkanike (BPSI) mat situatën aktuale dhe pritshmëritë për të ardhmen në aspektin e situatës ekonomike në shoqëri, si dhe situatës aktuale të familjeve dhe individëve që marrin pjesë në sondazh.

BPSI është i përbërë nga dy nën-indekse, BPSI-Indeksi i Situatës së Tanishme dhe BPSI-Indeksi i Pritshmërive, të cilat veçmas monitorojnë ndjesitë aktuale të qytetarëve të EJL-së si dhe pritjet e tyre për të ardhmen.

Në përgjithësi, rezultatet e Barometrit për 7 vjet tregojnë se kënaqësia rajonale ndaj jetës vazhdon të rritet, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për të ardhmen.