Shqipëria

Edi Rama dhe Zaev kritikojnë BE-në

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, u tregua kritik me vendet e BE-së dhe kryesisht me Bullgarinë, e cila prej kohësh është në një konflikt me Shkupin zyrtar.

Ai në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Shkup, ka thënë se BE-ja nuk dha atë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut merituan, duke treguar se nuk heq dorë për t’ia dalë bashkë me popullin shqiptar, pasi ndajnë vlera të njëjta.

“Sot Evropa ka një problem, ideja vizionare ka një problem, BE-ja është problemi, nuk arrin të gjejë dhe të sigurojë integrimin e merituar të Ballkanit Perëndimor, është një problem i shkaktuar nga ata, por ne nuk jemi vetëm, jemi këtu me mikun dhe vëllain tim, Ramën. Me shqiptarët ndajmë vlera të njëjta, jo politika ndarje, bashkë me ne janë në këtë rrugë Serbia dhe Mali i Zi”, tha Zaev.

Kreu i Qeverisë maqedonase theksoi se identiteti ndërkombëtar maqedonas nuk mund të jetë subjekt i negociatave për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian.

“Vendimi i BE-së për të mos përcaktuar një datë është një dëshpërim i madh dhe një mossukses i BE-së, procesi është një mesazh i keq për rajonin. Bullgaria për të mos lejuar kornizën, mendoj se nuk është në frymën e marrëdhënieve miqësore. Integrimi nuk mund të jetë peng i çështjeve bilaterale. Progresi ynë kryesisht duhet të varet nga reformat tona të lidhura me kapituj, legjislacioni dhe arritjen e standardeve evropiane. Negociatat nuk vendosin çështje bilaterale, është një qëndrim që e ndajnë të gjitha vendet. Identiteti ndërkombëtar maqedonas nuk mund të jetë subjekt i negociatave. Treguam guxim për të zgjidhur marrëdhëniet bilaterale”, tha Zaev.

Ai u shpreh se sërish do të shkojë në Sofje të flasë e të gjejë një zgjidhje për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Kam edhe një mesazh ata që më dinë, e dinë që unë nuk heq dorë lehtë. Do të shkoj edhe një herë në Sofje dhe sërish dhe sërish që të kërkoj zgjidhje. Do t’ia dalim, t’ia arrijmë këtij qëllimi. Maqedonia është Evropë, Shqipëria është Evropë dhe Ballkani është Evropë”, u shpreh Zaev.

Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Europian, i mbledhur në Luksemburg vendosi të shtyjë datën për konferencën e parë ndërkombëtare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për shkak të Bullgarisë, e cila do të bllokonte procesin për shkak të mosmarrëveshjes me Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë në fillim të mbledhjes u konfirmua se Shqipëria i ka përmbushur kriteret për negociatat.