Lajme

Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë bën thirrje për vaksinim

Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka bërë thirrje për qytetarët që të vaksinohen në mënyrë që të kenë lehtësime gjatë udhëtimeve në vendlindjet e tyre.

Të nderuar bashkatdhetarë,
Të gjithë jemi dëshmitarë të pandemisë me COVID-19 që ka shkaktuar probleme që më parë ishin të paimagjinueshme. Nga marsi i vitit të kaluar, shumica ka përjetuar humbje të të afermve e të njohurve që nuk kanë pasur ankesa shëndetësore më parë.
Përmes vaksinës fillimisht mbroni veten tuaj, të afërmit tuaj e shoqerinë dhe mundësohet kthimi sa më parë në normalitet. Fushata e vaksinimit në Konfederatën Zvicerane po kryhet me intensitet të lartë, në mënyrë të mirorganizuar dhe është në një fazë kritike, ku pothuajse gjysma e popullatës ka marrë të paktën një vaksinë.
Po ashtu në shumicën e shteteve europiane kanë hyrë në fuqi masat lehtësuese për personat e vaksinuar. Në këtë menyrë në rast udhëtimi për pushime si në vendlindje apo dikund tjetër, përmes vaksinimit evitoni jo vetëm rrezikun e infektimit, por edhe udhëtimi juaj bëhet më i lehtë, pa pasur nevojë të testimeve të shpeshta e të kushtueshme që vlejne vetëm 72 orë.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë u bën thirrje të gjithëve të vaksinohen. Në këtë mënyrë mbroni veten tuaj, të afërmit tuaj dhe shoqërinë. Vetëm vaksinimi/imuniteti i tufës mundëson kthimin në normalitet.
Për informata të përgjithshme për vaksinimin, keni në dispozicion linjen nacionale zvicerane të vaksinimit kundër Covid-19: +41 800 88 66 44, ndërsa për kantonet specifike i gjeni në: https://foph-coronavirus.ch/…/when-can-i-be-vaccinated/…
Me respekt,
Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë