Kosova

Osmani: BE duhet ta mbajë premtimin për liberalizimin e vizave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke marrë pjesë në samitin vjetor të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP).

Në një fjalim të saj para përfaqësuesve të vendeve anëtarë të këtij forumi, ka folur mbi sfidat e rajonit, procesin e integrimit në BE, si dhe mbi mundësitë e bashkëpunimit rajonal, transmeton Telegrafi.

“Ndër të tjera, kam theksuar se bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm, por edhe i mundur nëse mbështetet në njohjen dhe respektimin e njëri-tjetrit. Prandaj u bëra edhe një herë thirrje vendeve të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës që ta njohin sa më parë atë, ngase ai është realitet i pakthyeshëm, si dhe ta respektojnë në plotni sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë”, ka thënë Osmani.

Po ashtu, Osmani ka pohuar se “integrimi euroatlantik nuk përbën vetëm një alternativë për ne, ai parqet rrugën e vetme përpara”.

“Por, përkushtimi ynë ndaj integrimeve duhet të njihet nga Bashkimi Europian. Siç po lëvizim ne me shpejtësi drejt integrimit të vendit tonë, duke i përmbushur të gjitha kërkesat e parashtruara ndaj nesh, edhe Bashkimi Europian duhet ta vlerësojë angazhimin e qytetarëve të Kosovës dhe ta mbajë premtimin për liberalizim të vizave”, thotë mes tjerash ajo.

Gjithashtu, presidentja ka bërë të ditur se sot fillon Antalya Diplomatic Forum, ku së bashku me presidentë, kryeministra e ministra nga shumë vende të botës do të diskutojnë një sërë temash, nga sfidat e pandemisë e deri te sfidat e qeverisjes globale.