Kosova
Via Ferrata “Panorama” të sjell Sharrin “në pëllëmbë të dorës”
Deni Hameli, iniciatori i zhvillimit të këtij produkti turistik rrëfen se si u realizua projekti që ia rrit vlerën Prizrenit si destinacion turistik duke u zgjeruar edhe në turizmin e natyrës
Një tjetër atraksion turistik i është shtuar listës së gjërave për t’u bërë në Prizren. Via Ferrata “Panorama” është një shteg ngjitjeje 500 metra i gjatë në Grykën e Lumbardhit, që do t’u mundësojë entuziastëve të natyrës të testojnë limitet e veta në malet e pjesës jugore të Kosovës. Ky produkt turistik është një shembull i mirë i bashkëpunimit për zhvillim ekonomik në nivelin lokal drejt synimit të përgjithshëm të rritjes ekonomike. Produkti menaxhohet nga Shoqata e Bjeshkatarëve, “Sharri”.
Deni Hameli, iniciatori i zhvillimit të këtij produkti turistik rrëfen më në hollësi se si u realizua projekti që ia rrit vlerën Prizrenit si destinacion turistik duke u zgjeruar edhe në turizmin e natyrës.
Si lindi ideja për zhvillimin e Via Ferrata Panorama?
Nga viti 2011 u njoha personalisht me konceptin e Via Ferrata-ve, kur isha në Slloveni në një aktivitet bjeshkatar. Pastaj filluam të mendojmë rreth potencialit të ndërtimit të një Via Ferrata në Prizren dhe rrethinë. Por të kuptohemi, kjo ishte vetëm një ide. Formën e ndërtimit dhe metodën e qasjes në fondacione e kemi ndjekur nga shokët bjeshkatarë të organizatës “Marimangat” nga Peja. Ata fillimisht janë trajnuar dhe specializuar nga italianët për ndërtimin e Via Ferratave. Pastaj në vitin 2018 filluam së bashku me planifikim dhe punën studimore rreth lokacionit ku mund të ndërtohet Via Ferrata dhe me ndihmën e tyre filluam edhe me përpilimin e projekt-propozimit të Via Ferratës “Panorama”.
Në vitin 2019, projekti u jetësua dhe menjëherë vazhduam me implementimin e tij. Ky projekt u realizua falë vullnetit të mirë të bjeshkatarëve nga Shoqata Bjeshkatare “Sharri”. Donatorë janë: Kuvendi Komunal i Prizrenit, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim përmes projektit të Swisscontact ndërsa punëkryesit, tanimë të njohur për punën profesionale, “Marimangat” nga Peja.
Përse e keni quajtur “Panorama”?
Ideja e emërtimit “Panorama” lindi gjatë kohës kur ishim duke punuar në faqen shkëmbore, në një pozitë me pamje në drejtim të maleve të Sharrit. Ato dhe gryka e Lumbardhit mundësojnë një pamje tepër panoramike, secila stinë në atë pjesë është përallore.
Cila organizatë e menaxhon këtë Via Ferrata?
Shoqata Bjeshkatare “Sharri” nga Prizreni është hartuese e projektit dhe vazhdon me menaxhimin e Via Ferratës, falë bashkëpunimit dhe marrëveshjes me Kuvendin Komunal të Prizrenit.
Përvoja dhe profesionalizmi i grupit të bjeshkatarëve të Prizrenit në fushën e alpinizmit mundëson mirëmbajtjen dhe inspektimin e vazhdueshëm të shtegut për rast të ndonjë dëmtimi eventual. Nënkuptohet, nuk guxon të ketë ndonjë neglizhim apo anashkalim të normave të sigurisë asnjëherë, prandajë menaxhimi i është besuar një grupi profesionistësh.
Një përmbledhje e shkurtër e misionit të organizatës që e menaxhon Via Ferrata-n: kur është themeluar, cila është veprimtaria juaj kryesore, sa vetë jeni të angazhuar.
ShB. “SHARRI” është themeluar në vitin 1951, është shoqatë aktive me mbi 400 anëtarë. Aktivitetet e shoqatës përfshijnë shumë disiplina bjeshkatare si: ecje bjeshkatare, alpinizëm, kacavarje sportive, ski touring, çiklizëm malor, vrapim malor etj.
Në Via Ferrata jemi të angazhuar rreth 7 veta nga shoqata, të njejtit janë udhëheqës dhe të angazhuar në mirëmbajtje të shtegut. Udhëheqësit janë të trajnuar dhe me përvojë shumëvjeçare në udhëheqje malore.
Cili ka qenë roli juaj në ndërtimin e Via Ferrata-s?
Unë personalisht kam qenë iniciatori kryesor nga fillimi. Ideja rreth lokacionit, puna studimore dhe hartimi i projektit, takimet për fonde dhe në fund edhe pjesa fizike e ndërtimit, u udhëhoqën nga unë. Por sigurisht, nuk kam qenë i vetëm. Kemi qenë një grup shumë mirë i organizuar dhe i unifikuar: Osman Uka, Abdurahim Abdushi, Shemsedin Gashi, Nol Krasniqi, Gzim Murati etj. I falënderoj të gjithë, janë edhe shumë të tjerë që kanë kontribuuar.
Kryesisht, kush janë vizitorët e Via Ferratas?
Në Via Ferrata kryesisht vizitorë janë vendësit, të huaj kemi pak duke e marrë parasysh situatën pandemike, që ka ndikuar shumë negativisht në sektorin e turizmit.
Çfarë aktivitetesh të tjera ofroni në kombinim me Via Ferrata?
Prizreni është qytet ku natyra gërshetohet me historinë. Ofrohen shërbimet si vizita në objekte të trashëgimisë kulturore, duke vazhduar me ngjitje ne Via Ferrata. Pas ngjitjes në Via Ferrata ofrojmë edhe ture të ecjes malore në disa zona që ndërlidhen me shtegun e Via Ferratës. Paketat e turizmit malor tani janë të gjera. Vite me radhë i kemi studiuar dhe përpunuar. Së bashku me bashkëshorten Nermina Aliti Hameli e kemi hapur një agjencion që quhet Albanicum Outdoor dhe operojmë në gjithë rajonin. Ju ftoj të jeni pjesë e aventurave malore duke e shijuar një Kosovë që nuk e keni parë më herët.
Cila është veçantia e Via Ferrata ne Prizren, sidomos në krahasim me të ngjashmet nëpër Kosovë?
Via Ferrata në Prizren është e para në zonën e Sharrit, duke përfshirë 3 shtetet e zonës së Sharrit Kosovë, Maqedoni she Shqipëri. Shtrihet në një zonë tepër të bukur dhe pitoreske, zonë e mbrojtur ku flora dhe fauna është tepër e pasur. Zona e Via Ferratës ka shumë bimë endemike dhe gjithashtu faunë te pasur, shpesh edhe hasim në kafshë të egra, banorë shekullorë të këtyre viseve, prania e të cilave rrit vlerën turistike dhe madhështon këtë ngjitje atraktive. Pastaj mos të harrojmë që Prizreni bart epitetin e kryeqendrës historike të Republikës së Kosovës. Prania e shumë objekteve të trashëgimisë kulturore, laramania kulturore etnike, gastronomia e pasur, afërsia me parkun kombëtar Sharri dhe shumë objekte hotelerie e bëjnë të veçantë këtë atrakcion turistik.
Çfarë vlere i shton Via Ferrata Prizrenit si destinacion?
Prizreni ka vlera të jashtëzakonshme turistike, falë pozitës gjeografike, natyrës tepër të bukur dhe trashëgimisë kulturore. Via Ferrata Panorama është një produkt turistik i ri në Prizren që shtohet në agjendën e turistëve, pasuron bagazhin turistik të qytetit por edhe të gjithë Kosovës.
Cilat janë planet tuaja për të ardhmen e aktivitetit tuaj turistik?
Për të ardhmen mendojmë të zhvillojmë më tej kapacitetet e produkteve turistike, duke investuar më shumë në atraksionet e ngjashme që ndërlidhen me natyrën. Duhet të gjithë të vetëdijësohemi që ta mbrojmë natyrën dhe të investojmë në mënyra të shëndetshme duke e mbrojtur natyrën, të krijojmë vende të reja të punës duke i shfrytëzuar bukuritë që na i ka dhuruar Zoti.
Via Ferrata e parë në zonën e Sharrit, që shtrihet në tre shtete
Via Ferrata në Prizren është e para në zonën e Sharrit, duke përfshirë 3 shtetet e zonës së Sharrit Kosovë, Maqedoni she Shqipëri. Shtrihet në një zonë tepër të bukur dhe pitoreske, zonë e mbrojtur ku flora dhe fauna është tepër e pasur.
SHB “Sharri”, shoqatë me traditë
ShB. “SHARRI” është themeluar në vitin 1951, është shoqatë aktive me mbi 400 anëtarë. Aktivitetet e shoqatës përfshijnë shumë disiplina bjeshkatare si: ecje bjeshkatare, alpinizëm, kacavarje sportive, ski touring, çiklizëm malor, vrapim malor etj.
E-Diaspora
-
Bernë: Dorëzohet për votim nisma që kërkon lehtësim të natyralizimit “Aktion Vierviertel” ("Katër të katërtat) ka dorëzuar sot në Bernë “Nismën për Demokracinë”, në krye të...
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
Jeta në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025 Bazeli verior i Zvicrës do të mbajë një referendum të dielën për milionat e kërkuara për...
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha
-
Bernë: Dorëzohet për votim nisma që kërkon lehtësim të natyralizimit
-
Gjykata Federale: Personat mbipeshë tani mund të marrin pension IV
-
Priten reshje të dendura bore në Zvicër: Këto rrugë tashmë janë mbyllur