Maqedonia

Shtetet në BE që hoqën kufizimet dhe ato që vazhdojnë të kenë kushte për qytetarët e Maqedonisë

Një opsion tjetër është me PCR negativ të bërë 72 orë më parë, ose një test antigjeni 48 orë para hyrjes, ose me një dokument se ke kaluar kovidin, por jo më i vjetër se gjashtë muaj

Gjermania e hoqi Maqedoninë nga lista e kuqe e vendeve në rrezik për shkak të koronavirusit dhe që nga nesër, qytetarët e Maqedonisë do të mund të udhëtojnë në këtë vend.

Nëse hyni në Gjermani me makinë, nuk do të vlejnë detyrimet për regjistrim dixhital të udhëtimit, testimi negativ PCR dhe karantina. Për ata që mbërrijnë me aeroplan, ata do të duhet të kenë ose një vërtetim negativ të testit PCR, ose vërtetim se e ka kaluar virusin korona, ose vërtetim se ka pranuar dy vaksina para mbërritjes.

Por, Holanda ende nuk e përfshin Maqedoninë në listën e vendeve të sigurta me rrezik të ulët nga kovid 19. Kjo është arsyeja pse shtetasit e Maqedonisë nuk mund të udhëtojnë në Amsterdam për momentin, dhe në ndeshjen e tretë të mbështesin lojtarët e ekipit kombëtar në Kampionatin Evropian që filloi dje, transmeton Alsat, përcjell Albinfo.ch.

Lidhur me vendet në rajon, për Shqipërinë, Serbinë dhe Malin e Zi nuk ka procedura të komplikuara dhe në territorin e tyre mund të hyni vetëm me letërnjoftim.

Në lidhje me Greqinë, mbeten masat që kanë qenë të vlefshme deri më tani, pra një nga tre vërtetimet e mëposhtme – vërtetim vaksine, test negativ PCR, ose vërtetim që e ke kaluar kovid 19. Paralelisht, ata që udhëtojnë te fqinji jugor duhet të plotësojnë një dokument PLF, të paktën një ditë para se të hyjnë në territorin grek.

Për të hyrë në Kroaci, Turqi dhe Bullgari kërkohet vërtetim i vaksinimit kundër kovid 19, me kusht që të kenë kaluar dy javë që nga marrja e dozës së dytë.

Një opsion tjetër është me PCR negativ të bërë 72 orë më parë, ose një test antigjeni 48 orë para hyrjes, ose me një dokument se ke kaluar kovidin, por jo më i vjetër se gjashtë muaj.