Kosova

Gjakova kremton 22-vjetorin e çlirimit

22 vjet nga çlirimi i Gjakovës. Ky qytet sot do të shënojë 14 Qershorin – Ditën e Çlirimit, ku do të kujtohen dhe nderohen dëshmorët e kësaj komune, të cilët luftuan, sakrifikuan dhe flijuan jetën për liri.

Aktivitetet me rastin e kësaj dite do të fillojnë me homazhe te lapidari “Shokët e lirisë”, në sheshin “Agron Rama”, varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në Meje dhe varrezat e martirëve në Çabrat, për të vazhduar me ndarjen e medaljeve për familjet e dëshmorëve të komunës së Gjakovës.

Një program muzikor për fëmijë do të mbahet në Parkun e madh të qytetit, për të vazhduar me shfaqjen e mozaikut “Djemtë e asfaltit”, punuar nga Alkent Pozhegu në Pallatin e Sporteve “Shani Nushi”.

Aktivitetet me rastin e 22-vjetorit të çlirimit do të përfundojnë në mbrëmje, me hapjen e ekspozitës kolektive Galeria e Arteve në pallatin e kulturës “Asim Vokshi” dhe një koncert festiv në Parkun e madh të qytetit.