Lajme

Bie numri i të papunëve në Austri

375,500 persona janë regjistruar aktualisht në Shërbimin e Tregut të Punësimit (AMS) si të papunë ose në kurse trajnimi

Hapja e ekonomisë, turizmit dhe gastronomisë në Austri ka bërë që punëtorët e larguar nga puna për shkak të koronavirusit të kthehen sërish në vendet e tyre të punës. Numri i papunësisë nga java në javë po bie dukshëm. Për dallim nga java e kaluar, këtë javë ka 15,405 persona më pak të papunë dhe 1.475 pjesëmarrës më pak që vijojnë trajnime të ndryshme. Zhvillimi i tregut të punës është “dukshëm më i mirë nga sa pritej fillimisht”, njoftoi ministri i Punës së Austrisë, Martin Kocher, shkruan kurier.at.

Ministri Martin Kocher theksoi tutje: „Efektet e krizës ende janë të pranishme në tregun e punës dhe ne jemi duke bërë përpjekje që të kthejmë të gjithë të papunët në vendet e tyre të punës“, transmeton albinfo.at.

Regjistrimet për punë me ‘kohë të shkurtuar’ (Kurzarbeit) aktualisht janë rreth 311,000 persona. Në të ardhmen e afërt, ministri Kocher nuk pret më shumë “rënie të ndjeshme” të numrit të papunëve, por “përkundrazi një zhvillim të vazhdueshëm me një prirje pak në rënie”.

Niveli i papunësisë aktualisht është afërsisht në nivelin e viteve 2015/2016.