Gruaja
Nga korona vuan edhe shpirti, jo vetëm trupi
Dr. Xhida Lumi: “Krahas dëmeve somatike, pandemia ka shkaktuar dëm të madh edhe në shëndetin mental. Që nga shpërthimi i pandemisë, numri i klientëve në repartin tim është shtuar deri 25-30 %”
Shëndeti mental i njerëzve, sidomos ndër shqiptarët, me gjithë avancimin e shënuar, vazhdon që, në masë të konsiderueshme të trajtohet si temë tabu. Po kjo vlen edhe për komunitetin shqiptar të Zvicrës. Nga ana tjetër, në shtetin helvetik ka një numër në rritje të psikiatërve shqiptarë, shumë nga të cilët kanë tashmë edhe ordinancat e tyre këtu. Nisur nga këto që u thanë dhe nga rëndësia që po merr gjithnjë më shumë shëndeti mental, sidomos në rrethanat e pandemisë, albinfo.ch ka planifikuar një numër special të revistës që i kushtohet kësaj teme.
Për albinfo.ch flet specialistja i psikiatrisë për fëmijë dhe të rinj, Dr. Med. Xhida Lumi, kryemjeke për ambulancën qendrore të Klinikës Psikiatrike për fëmijë dhe të rinj në Windisch (AG) dhe udhëheqëse e repartit specifik për fëmijë të vegjël nën moshën 5 vjeçare “Under5”.
Albinfo.ch: Në Zvicër, viteve të fundit kemi një rritje të numrit të psikiatërve shqiptarë, tashmë jo vetëm të punësuar në klinika por edhe me ordinanca private. Çfarë mendoni se e ka mundësuar këtë rritje apo është thjesht, rrjedhojë e natyrshme e rritjes dhe avancimit të komunitetit tonë këtu?
Dr. Xhida Lumi: Po, është e vërtetë se në Zvicër është rritur numri i psikiatërve dhe psikoterapeutëve shqiptarë. Ne jemi mjaftë aktivë dhe bashkëpunojmë shumë mirë mes vete. Ne kemi grupin tonë prej më shumë se 43 mjekë që komunikojmë dhe jemi të përfshirë psikoterapeutë nga të gjitha kantonet.
Shkak për rritjen e numrit të psikiatërve shqiptarë në Zvicër është së pari dalja në pension e shumë mjekëve zviceran. Ky deficit ishte alarmuar para vitit 2010, kur thuhej se do mungojnë gjithnjë më shumë mjekë e në mesin e tyre edhe shumë psikiatër. Unë mendoj se shumë faktorë luajnë rol por më relevantë janë: Mungesa e mjekëve psikiatër, vetëdijesimi i bashkëkombësve tanë të shkojnë te psikiatri dhe rritja e numrit të personave me shëndet mental të çrregulluar.
Albinfo.ch: Cilat procedura duhet t`i kalojë një mjek nga Kosova, Shqipëria ose Maqedonia, që të mund të punojë këtu si psikiatër?
Dr. Xhida Lumi: Procedura është e njëjtë si për fushat tjera të mjekësisë, regjistrimi në Mebeko e pastaj aplikimi etj. Në psikiatrinë e të rriturve mund të pranojnë me nivelet e gjuhës mes B2 dhe C1 kurse në psikiatrinë e fëmijëve dhe të rinjve, të cilit drejtim i përkas edhe unë, nevojitet minimum Niveli C1 i njohjes së gjuhës gjermane.
albinfo.ch: Çfarë mund të na thoni për qasjen e shqiptarëve (edhe në Zvicër) lidhur me trajtimin psikiatrik ose edhe psikologjik. A kanë ngurrim ata të drejtohen te psikiatri?
Dr. Xhida Lumi: Unë mendoj se në të dy grupet e popullatës ka ngurrim. Tek popullata e jonë ka qenë më e shprehur ose kan shkuar te psikiatri por e kanë mbajtur të fshehtë, duke ju frikësuar stigmatizimit. Fatbardhësisht, kanë filluar të vetëdijesohen. Unë mund të ju përshkruaj p.sh rastet me klientelën më të re, fëmijët e vegjël deri në moshën 5 vjeçare ku jam edhe udhëheqëse e repartit. Peripecitë tona më të mëdha janë t`i bindim prindërit që të nënshkruajnë (p.sh formularët për IV-Rente) si tek fëmijët me autizëm ashtu dhe tek ata me hiperaktivitet që mund të diagnostifikohen nga mosha 6 vjeçare .
Albinfo.ch: Po kur psikiatri është shqiptar, a e bën kjo më të lehtë apo më të vështirë paraqitjen e pacientëve shqiptarë tek ai? Çfarë përvojash keni lidhur me këtë?
Dr. Xhida Lumi: Qasjet janë të ndryshme. Rastet më të shumta janë kur prindërit janë mjaft të gëzuar të trajtohet fëmija i tyre nga mjekja shqiptare, por kemi edhe raste të veçanta kur prindërit vijnë në fillim me rezervën se unë si shqiptare mund t`i tregoj fshehtësitë e tyre. Por ka pasur raste kur edhe tek gjykata familjare kemi ndikuar në mirëqenien e familjes duke i eliminuar mosmarrëveshjet për shkak të barrierave të gjuhës.
Ma merr mendja se përfitojnë mjaft, sepse askush më mirë nuk mund ta njohë mentalitetin dhe kulturën se sa personi që i takon vetë atij komuniteti. Sidomos kur shkruajnë e-maile, sa lehtësuese është për prindër sidomos për nënat që të shkruajnë në gjuhën amtare.
Albinfo.ch: Cilat janë problemet më të shpeshta dhe më tipike për të cilat ju drejtohen pacientët shqiptarë këtu?
Dr. Xhida Lumi: Siç ju thashë, unë jam psikiatre e fëmijëve dhe të rinjve, jam psikoterapeute e specializuar në të tri drejtimet e psikoterapisë: terapinë e sjelljes-kognitive, terapinë e sistemit-familjare dhe “Psikologji e thellë” që ndihmon shumë, sidomos për fëmijët e vegjël dhe prindërit e tyre. Në rrethin e klientelës sime janë fëmijët nga mosha 0-18 vjeçare, nënat me depresion pas lindjes si dhe i gjithë sistemi familjar. Problemet kryesore janë; çrregullimi i sjelljes, hiperaktiviteti, autizmi, pengesat në të folur, frika, çrregullimet posttraumatike, depresioni postnatal, varësia nga drogat, alkooli, pengesat në të mësuar, fobitë sociale, abuzimet seksuale dhe gjithsesi, që është mjaft e shprehur, konfliktet e prindërve (procesi i ndarjes, dhuna në familje, ndaj nënës së fëmijës apo edhe ndaj fëmijës vetë), etj.
Albinfo.ch: A keni më shumë pacientë zviceranë dhe të tjerë apo shqiptarë?
Dr. Xhida Lumi: Klientela ime është e përbërë rreth 15% nga shqiptarë. Kërkesat e klientëve shqiptarë janë më të mëdha por fatkeqësisht kapacitetet e mia janë të reduktuara duke marrë parasysh angazhimet e mia. Për pasojë, nuk mund t`i trajtoj edhe pacientet në stacione apo në klinikën ditore.
Albinfo.ch: Pandemia e Covid-19 është bërë tashmë mbi një vit temë kryesore që po na ndjek në çdo fushë të jetës. Krahas rrezikut që ajo paraqet për shëndetin fizik, kjo pandemi po dëmton seriozisht edhe shëndetin mental të njerëzve. Cilat janë përvojat tuaja në këtë drejtim?
Dr. Xhida Lumi: Është e vërtetë se përveç dëmtimit somatik (trupor), pandemia ka shkaktuar dëm të madh edhe në shëndetin mental. Që nga shpërthimi i pandemisë, numri i klientëve në repartin tim është shtuar deri 25-30%. Është rritur numri i rasteve të dhunës dhe agresiviteti i adoleshentëve, dhuna në shkollë etj. Fatkeqësisht është rritur edhe numri i klientëve nën moshën 13 vjeçare që përdorin kanabis dhe droga tjera. Edhe konsumimi i alkoolit gjithashtu ka treguar rritje. Kemi rritje të rregullimeve sociale, vjedhjeve dhe kufiri i tolerancës është zvogëluar dukshëm.
Albinfo.ch: Çfarë do të këshillonit ata që janë prekur nga pasojat e pandemisë, në rrafshin mental?
Dr. Xhida Lumi: Së pari, prindërit do t`i këshilloja: Ju lutem, mos blini lodra si Play Station etj, se fëmija do të bëhet shumë më agresiv me këto lodra; ua largoni mobilët fëmijëve nga dora, por më parë largoni ata edhe nga duart e juaja; dilni në natyrë së paku 2×1 orë në ditë. Sidomos tek fëmijët e moshës 3-6 vjeçare fillon të zhvillohet fantazia, përkrahni fëmijët në fantazitë e tyre; Shkoni për vikende të gjata 2-3 ditë nëpër fshatra, ku fëmijët do të kenë kontakt me shtazët. Mësoni fëmijët por edhe veten tuaj të mos jetoni në të kaluarën se do t`ju tërheq drejt energjisë negative. Mos jetoni as me frikën për të ardhmen, se do të harroni ta jetoni të tashmen. Filloni ta jetoni të tashmen. Shfrytëzoni resurset tuaja dhe të familjes suaj. E mbi të gjitha, ju lutem, kërkoni ndihmë sa më herët te kuadrot profesioniste.
Biografi
Dr. Med. Xhezide (Xhida) Lumi, e lindur në vitin 1966, Fakultetin e Mjekësisë e ka mbaruar në Prishtinë. Nga viti 1994 jeton në Bazel, Zvicër. Është nënë e dy fëmijëve, Dardanit (28) dhe Drilonës (26). Në drejtimin e saj specifik, psikiatre dhe psikoterapeute e fëmijëve dhe të rinjve, përvojat i ka mbledhur në Universitetin e Bazelit dhe në Klinikën e Forensikës për të rinj. Aktualisht punon në Kantonin e Aargaut, në Windisch, në Klinikën psikiatrike për fëmijë dhe të rinj (PDAG_KJP) si kryemjeke për ambulancën qendrore dhe si udhëheqëse e repartit specifik për fëmijë të vegjël nën moshën 5 vjeçare “Under5”. Studimet Postgraduale (Psikoterapi e sjelljes-kognitive dhe psikoterapi sistemike-familjare) i ka përfunduar në Universitetet e Bazelit, Bernës dhe Cyrihut, kurse psikoterapinë, në drejtimin psikologji e thellë për fëmijë të vegjël dhe prindër, në Universitetin e Munihut. Ka studiuar psikologjinë sociale në Zunzgen dhe është mësuese e diplomuar e Autogenes Training. Gjithashtu ka marrë diplomën e supervizores në Universitetin e Cyrihut. Kështu, ajo bën supervizionin e pedagogëve, psikologëve dhe mjekëve psikiatër.
* Intervista është realizuar gjatë muajit prill, për numrin aktual të magazinës albinfo.ch
Të ngjashme
Të tjera nga Gruaja
E-Diaspora
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake Edona Bilali është deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ku përfaqëson Qarkun e Shkodrës, që...
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
Jeta në Zvicër
-
Priten reshje të dendura bore në Zvicër: Këto rrugë tashmë janë mbyllur Nga e enjtja e tutje me gjasë do të ketë shumë borë në pjesë të mëdha...
-
Zviceranët do të votojnë për natyralizim më të lehtë
-
Më shumë fleksibilitet për të ndryshuar mbulimin e sigurimit shëndetësor në Zvicër
-
Këshilli Federal rekomandon refuzimin e “Iniciativës foie gras”
-
Cilat janë kooperativat zvicerane të strehimit dhe a mund t’i aksesoni ato?