Kosova

Kryeministri Kurti: Viktimat e luftës meritojnë drejtësi

Sot, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në takimin e parë të Grupit Punues për Institutin për krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Kurti u shpreh se nuk e kemi luksin që kësaj radhe të gabojmë.

“Nuk e kemi luksin të gabojmë kësaj radhe, nuk kemi mundësinë të eksperimentojmë e të dështojmë me eksperimentet tona, për këtë arsye është thelbësore të bashkojmë forcat dhe të përkrahim njëri-tjetrin, të gjithë. Qëllimi i të gjithë neve është i përbashkët dhe ka të bëjë me institucionalizimin dhe me mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive”, u shpreh Kurti.

Po ashtu, kryeministri theksoi se paqja kërkon drejtësi, por edhe rehabilitim. “Në Kosovë nuk ka ndodhur asnjëra dhe viktimat e luftës i meritojnë të dyja”, tha Kurti.

Në anën tjetër, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u shpreh se dokumentimi luan rol kyç në krijimin e shoqërive të hapura dhe të drejta.

“Dokumentimi i krimeve të luftës ka ndihmuar në krijimin e kujtesës kolektive, në ndjekjen penale të autorëve të krimit, në identifikimin e viktimave… Këto janë masa praktike, me të cilat trajtohet e kaluara”, ka thënë Haxhiu.

Ministrja ka thënë që iniciativa të tilla luajnë rol vendimtar për drejtësi.

Haxhiu shtoi se Kuvendi ka miratuar amendamentin që ka për qëllim heqjen e pengesave për Prokurorinë Speciale që t’i adresojë krimet e luftës.

Ministrja shtoi se në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë do të ndahet buxhet për Prokurorinë Speciale që numri i prokurorëve specialë të rritet për katër prokurorë më shumë.