Kosova

Reagim i redaktorit të gazetës zvicerane ‘NZZ’ ndaj ministres Gërvalla

Ky është reagimi i redaktorit të gazetës “NZZ”

Dje ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, i ka reaguar gazetës zvicerane “Neue Zurcher Zeitung”, ku është shprehur se kjo gazetë ka përdorur pohime të pasakta në tekstin e intervistës së saj e që ndërlidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

“NZZ publikoi pohimin e rremë se UÇK-ja kreu vrasje pas përfundimit të luftës. UÇK-ja u shpërbë pas çlirimit të Kosovës në qershor 1999. Nëse krimet thuhet se janë kryer, ato janë bërë nga individë, jo nga UÇK-ja”, ka shkruar Gërvalla.

Pas kësaj shprehje, ka reaguar redaktori i gazetës në fjalë, Andreas Ernst.

Ai është shprehur se gazetari që e ka shkruar tekstin s’ka potencuar që UÇK-ja ka përgjegjësi kolektive për atë se çfarë ka ndodhur, por se kryerësit kanë përgjegjësi indivduale.

“Autori ynë, Andi Reich, ka shkruar se “krimet e pasluftës, kryesisht janë kryer nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Ai nuk pretendon që ka përgjegjësi kolektive të UÇK-së, por thotë se keqbërësit kanë përgjegjësi individuale”, ka shkruar redaktori i NZZ-së.

Nga ana tjetër, redaktori i kësaj gazete i është kundërpërgjigjur Gërvallës edhe për pohimin se pas qershorit 1999 nuk ka pasur UÇK, duke ia bashkëngjitur një raport të NATO-s, ku thuhet se UÇK-ja u shpërbë më 20 shtator 1999.

“Përveç kësaj, në komunikatën e NATO-s thuhet nuk thuhet që UÇK-ja u shpërbë në qershor, por më 20 shtator 1999. NZZ e ka prezantuar situatën në mënyrë korrekte”, ka përfunduar redaktori për politikë të jashtme i gazetës zvicerane, Andreas Ernst. /Albinfo.ch