Lajme

Gjermani: Ndahet nga jeta mjeku dhe humanisti shqiptar, Dr. Beqir Brahimi

Në vitin 1998, gjatë luftës në Kosovë, ai ishte kthyer në atdheun e tij për të luftuar dhe për të ndihmuar të plagosurit e luftës, shkruan gazeta gjermane

Të hënën, më 24 maj, pas një sëmundje të gjatë ka vdekur në Spitalin Universitar në Aachen, internisti dhe diabetologu,  Dr. Beqir Brahimi, i cili vlerësohej shumë nga kolegët dhe pacientët e tij. Këtë njoftim e jep sot gazeta gjermane Rheinische Post (rp-online.de).

Në një njoftim mortor të publikuar në gazetat ditore, 30 mjekë të qytetit Kempen i kanë dhënë lamtumirën mjekut të shquar, transmeton albinfo.ch.

Beqir Brahimi është i lindur në Kosovë më 10 nëntor të vitit 1962. Ai gjithmonë ka qenë i apasionuar pas lirisë së vendit të tij. Në vitin 1998, gjatë luftës në Kosovë, ai ishte kthyer në atdheun e tij për të luftuar dhe për të ndihmuar të plagosurit e luftës, shkruan më tutje gazeta gjermane.

Si i ri 22 vjeç, ai kishte emiguar  në Gjermani, në vitin 1984. Atje kishte mësuar gjuhën gjermane në kurse intensive. Pastaj ka studiuar në Fakultetin e Mjekësisë, në Dyseldorf.

Shumë i talentuar dhe me ngrohtësi njerëzore, ai i ka bërë për vete njerëzit, me mirësinë, gatishmërinë për ndihme dhe aftësinë e tij profesionale.

Nga viti 1997 deri në vitin 2000 Brahimi ka punuar si ndihmësmjek në departamentin e brendshëm të Spitalit St. Tönis, transmeton albinfo.ch. Në Spitalin e Kempenit (Spitali i Shpirtit të Shenjtë) ai është specializuar më tutje në mjekësi të brendshme dhe diabetologji.

Që nga viti 2017 ai ka funksionuar edhe si moderator i “Qarkut të Cilësisë Diabetologjike” në Kempen. Në këtë qark ai ishte së fundmi kryesues, për trajnimin e mëtejshëm të kolegëve të tij mjekësorë në fushën e diabetologjisë.

Beqir Brahimi ka lënë pas gruan e tij, Helga dhe dy djemtë: Cedric (20) dhe Lucas (15).

Vdekjen e dr. Beqirit e kanë kujtuar edhe familjarët, kolegët dhe vendësit e tij.
“Lajm i trishtuar për vdekjen e kushëririt, tezakut, kolegut dhe doktorit tonë në Gjermani, Dr. Beqir Brahimi.
Ai ishte një humanist i shquar me angazhimin e tij kulminant në shëndetësinë gjermane që e dëshmonte puna dhe avancimi i vazhdueshëm dhe botimi i titujve shkencorë në fushën e mjekësisë. Aktiv dhe i angazhuar deri në ditët e fundit të jetës. Kontribues edhe gjatë luftës në Kosovë”, shkruajnë, veç tjerash, në postimet e tyre në fb,  Hekuran Sejdiu dhe Muharrem Binaku.