Shqipëria

Shqipëri: Më 9 qershor mblidhet Kuvendi për shkarkimin e Metës

49 deputetë nga Partia Socialiste kanë kërkuar shkarkimin e presidentit, pasi i kanë cilësuar thirrjet e tij gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit si antikushtetuese

Konferenca e Kryetarëve ka caktuar 9 qershorin si datën e seancës plenare, në të cilën Kuvendi do të votojë raportin e Komisionit të Posaçëm Hetimor për kërkesën e shkarkimit të presidentit Ilir Meta nga detyra.

Seanca e të mërkurës, më 9 qershor, do të mblidhet në orën 10:00.

49 deputetë nga Partia Socialiste kanë kërkuar shkarkimin e presidentit, pasi i kanë cilësuar thirrjet e tij gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit si antikushtetuese.

Për këtë, Kuvendi miratoi ngritjen e një komisioni të posaçëm hetimor.

Ky komision kërkonte paraqitjen e detyrueshme të presidentit në seancë dëgjimore. Pavarësisht kësaj, ky i fundit nuk ka pranuar të jetë prezent në mbledhje, duke e shkelur ligjin.

Përpos këtij fakti, Komisioni e gjeti fajtor Metën për pretendimet e mazhorancës. Mbi këtë fakt, shumica kërkoi shkarkimin nga detyra të presidentit.

Për ta faktuar këtë, socialistëve u duhen 94 vota pro shkarkimit, raporton Ap, përcjell Albinfo.ch.

Por, fjalën e fundit e ka gjithsesi Gjykata Kushtetuese, në të cilën shkon vendimi përfundimtar i Parlamentit. Nëse presidenti mbetet ose jo në detyrë, është vendim i Kushtetueses.

Pse po kërkohet shkarkimi i presidentit Ilir Meta?

Akuzat e mazhorancës janë mbi përfshirjen e Metës në fushatën zgjedhore dhe nxitjen e akteve të dhunës në fushatë.

Kjo është hera e dytë që një nismë e tillë shkon në Parlament, brenda dy vjetëve.

Të parën, mazhoranca e ngriti pas dekretit të presidentit mbi anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019.

Ajo u kthye në një rezolutë të votuar me 100 vota pro në seancën e 13 qershorit të vitit 2019.

Meta i ka quajtur këto akuza “shashka”, duke kërkuar përqendrim në mbylljen e procesit zgjedhor.