Kosova

Nga reshjet e mëdha të shiut, 20 familje bllokohen në Gjilan

Banorët kërkojnë ndihmë nga Qeveria

Në Kosovë që nga mesnata ka pasur reshje të mëdha të shiut. Reshje këto që kanë shkaktuar dëme në disa fshatra të komunës së Gjilanit. Situata më e rënduara është në dy fshatrat, Pogragjë dhe Sllubicë, ku 20 familje kanë qenë të bllokuara si pasojë e vërshimeve, përcjell albinfo.ch.

Komuna e Gjilanit ka bërë të ditur se në këto dy fshatra 20 familje që jetojnë përskaj lumit, kanë qenë të bllokuara si pasojë e shkatërrimit të katër urave dhe shembjes së dheut, derisa Komuna u ka dalë në ndihmë menjëherë duke krijuar rrugë alternative.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka bërë të ditur se 20 familjeve u janë dhënë pako ushqimore për ta përballuar këtë situatë të rënduar, derisa ka kërkuar nga FSK për montimin e dy urave mobile për ta lehtësuar qarkullimin e banorëve, shkruan koha.net.

“Dëme të konsiderueshme ka kryesisht në sektorin e bujqësisë dhe së shpejti do të dilet me raport preliminar. Komuna e Gjilanit kërkon nga Qeveria që të ndihmojë me ndonjë fond emergjent për këto zona”, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjilanit.