Lajme

Belgjikë: Ndalohet përdorimi i vaksinës “Johnson & Johnson” tek personat nën 41 vjeç

Belgjika të mërkurën ka ndaluar vaksinimin e personave nën 41 vjeç me vaksinën antiCOVID të “Johnson & Johnson”, pas vdekjes së një gruaje si pasojë e efekte të rënda anësore pas marrjes së kësaj vaksine, njofton agjencia AP.

Qeveria e Belgjikës ka thënë se do të kërkojë një këshillë urgjente nga Agjencia Evropiane e Barnave (Ema) para se të vendosë për heqjen e kësaj ndalese. Belgjika ka thënë se ndikimi në procesin e vaksinimit në vend do të jetë shumë i limituar.

Belgjika ka përdorur vaksinën “Johnson & Johnson” te personat e moshuar dhe të pastrehët, pasi duhet vetëm një dozë për të siguruar mbrojtje. Vaksinimi i kësaj kategorie do të vazhdojë.

Por, do të ndalet te personat nën 41 vjet. Autoritetet belge kanë njoftuar se gruaja është vaksinuar nëpërmjet punëdhënësit të saj të huaj jashtë sistemit belg dhe vdiq në Belgjikë javën e kaluar pas zhvillimit të trombozës. Kanë bërë të ditur se pacientja ishte nën 40 vjet.