Kosova

Borrell kërkon liberalizimin e vizave për Kosovën

Përmes një postimi në blogun e tij në uebfaqen e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thënë se e sheh të nevojshme një qasje të re të Evropës për Ballkanin Perëndimor, pas takimit që pati me liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor të martën.

Sa i përket çështjes së Kosovës, Borrell ka kërkuar veprime për liberalizim të vizave.

Për takimin – me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, atë të Shqipërisë Edi Rama, të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, të Serbisë Ana Bërnabiq, presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq dhe kreun e Këshillit të ministrave në Bosnjë e Hercegovinë, Zoran Tegeltija – Borrell ka thënë se ka qenë me rëndësi që të takohet, pasi “rajoni është edhe njëherë në udhëkryq sa i përket integrimit evropian”.

“Doja të diskutoja hapur dhe jozyrtarisht me liderët e Ballkanit Perëndimor për shqetësimet dhe propozimet e tyre për rajonin dhe të ardhmen evropiane, si dhe për një për qasje më strategjike për politikën e jashtme evropiane”, ka thënë ai në blogun e tij, ku ka theksuar se të gjithë liderët kanë zgjedhur integrimin evropian në majë të agjendave të tyre.