Koronavirusi: çast pas çasti

Certifikata e gjelbër e udhëtimit, në fuqi për 12 muaj

Komisioni dhe Këshilli Evropian kanë arritur marrëveshjen përfundimtare për të pasur sa më shpejt certifikatat digjitale çka do të lehtësonte udhëtimin në sezonin e verës.

Vendimi tashmë do të duhet të miratohet në Parlamentin Evropian, në mënyrë që nga data 1 korrik të hyjë në fuqi përdorimi i certifikatave të gjelbra, të cilat do të dëshmojnë nëse një person është vaksinuar, është shëruar apo rezulton negativ me COVID-19.

Kalimi i Gjelbër me këto pasaporta do të jetë në fuqi për 12 muaj. Zyrtarisht, certifikata nuk do të jetë një parakusht për ushtrimin e të drejtës së lëvizjes së lirë dhe nuk do të konsiderohet si një dokument udhëtimi.  Bashkimi Europian  tha se certifikata COVID-19 do të njihet nga të gjithë vendet anëtare të BE-së dhe se skema përfshin gjithashtu Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën.

Pas miratimit të certifikatës, vendet e Bashkimit Europian nuk do të jenë më në gjendje të vendosin kufizime të mëtejshme të udhëtimit, të tilla si karantina, vetizolimi ose tamponët.