Shqipëria
Reagimi i Bashës dhe analistëve në Tiranë për shpalljen e Berishës ‘non grata’ nga SHBA
Shumë reagime pas vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili e shpalli ish-kryeministrin Sali Berisha dhe familjen e tij ‘non grata’ në SHBA
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili e shpalli ish-kryeministrin Sali Berisha dhe familjen e tij ‘non grata’ në SHBA.
Duke iu referuar deklaratës së ish-kryeministrit Berisha, i cili ka shprehur keqardhje për vendimin, Basha i bëri thirrje SHBA-së për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim.
“U njoha me keqardhje me vendimin e Sekretarit të Shtetit për ish Presidentin dhe ish kryeministrin Sali Berisha. Duke nënvizuar qëndrimin e z. Berisha, i cili pasi shpreh keqardhjen për vendimin dhe e konsideron atë pa asnjë bazë konkrete, bëj thirrje për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim. Dr. Berisha është padyshim udhëheqësi shqiptar që ka dhënë kontributin më të çmuar për zhvillimin e vendit dhe forcimin e demokracisë, dhe çoi miqësinë dhe aleancën strategjike të Shqipërisë me SHBA në nivelet më të larta. Gjatë kohës që z. Berisha ishte Kryeministër, Shqipëria përmbushi të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësimin në NATO, si dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, ku lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar ishin kryekushte. Në të gjitha këto arritje partner kyç i Qeverisë Shqiptare ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vendimi i sotëm i Sekretarit të Shtetit nuk cenon arritjet madhore të Shqipërisë nën drejtimin e Sali Berishës, kontributin e tij madhor në demokratizimin e Shqipërisë dhe reformat që e afruan vendin me partnerët tanë Euro-Atlantikë, dhe aq më pak marrëdhënien e shkëlqyer të Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Basha, duke shtuar:
“Ne i konsiderojmë SHBA aleatin tonë strategjik më të rëndësishëm për Shqipërinë, dhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit si prioritet absolut kombëtar. Partia Demokratike është e vendosur të vazhdojë pa asnjë kompromis luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në dobi të demokracisë, shtetit të së drejtës, transparencës dhe mirëqenies së Shqipërisë dhe kombit shqiptar”, thekson Lulzim Basha, përcjell albinfo.ch.
Analistët
Vendimi i fundit i Sekretarit të Shtetit për të ndaluar ish-presidentin e Shqipërisë, Sali Berisha, dhe familjen e tij të hyjnë në SHBA u përcoll me komente të ndryshme nga vëzhgues dhe analistë të jetës politike në Tiranë.
Ata shprehen se ky akt shënon fundin e periudhës së mosndëshkimit të elitave politike dhe përballjen e tyre me akuzat për korrupsion.
Vëzhguesit e jetës politike në Tiranë pohuan se deklarata që shoqëroi vendimin e sekretarit Blinken ndaj ish-presidentit Berisha ishte sa e fortë aq edhe e papritur, ku renditen akuza për pengim të demokracisë, korrupsion domethënës, si dhe për veprime që lidhen me funksionimin e shtetit dhe shoqërisë.
Analisti i njohur i politikës dhe përfaqësues i komunitetit të gazetarëve, Aleksandër Çipa, thotë se kjo shënon ngjarjen më të rëndë midis udhëheqësve politikë shqiptarë dhe SHBA.
Por më e rëndësishmja e kësaj ngjarjeje, tha zoti Çipa, është zbritja e protagonistëve politikë nga lartësitë e paprekshme në përballjen ligjore me akuzat për korrupsion.
“Ky është një moment i ri përmbyllës i kapitullit të ashtuquajturit tranzicion në Shqipëri, ku kasta dhe elita politike ishte njëkohësisht sunduese e ligjit shqiptar dhe një ndër arsyet pse kishim një ineficencë të sistemit të drejtësisë. Ky është edhe një realitet i ri në gjithë realitetin shqiptar. Pandëshkueshmëria ka qenë një lloj sundimi i padëshirueshëm dhe pengmbajtës për vendin dhe zvarritjen e Shqipërisë nëpër të ashtuquajturën kohë të tranzicionit” – tha zoti Çipa.
Analisti i njohur Mentor Kikia thotë se deklarata e sotme e sekretarit Blinken është deklarata më e ashpër që SHBA kanë publikuar për ndonjë politikan shqiptar që nga viti 1997.
Edhe pse në hije, shtoi ai, zoti Berisha ndikon fort në çdo qëndrim të PD-së që nga reforma në drejtësi e deri në gjithçka tjetër, sepse ka ndjekësit e tij në gjirin e saj.
“Kjo deklaratë e ashpër që vjen sot në adresë të zotit Berisha është një fshikull e fortë, së pari për rolin që ai vazhdon të ketë në Partinë Demokratike, e cila duhet të qëndrojë për një tjetër mandat në opozitë, si dhe për rrezikun, që ai mund të frymëzojë një lëvizje radikaliste pranë kësaj partie. Faktori i dytë mund të jetë rezistanca apo deklaratat që bëhen kundër reformës në drejtësi, dhe kjo mund të paralajmërojë edhe një procedim të shpejtë ndaj zotit Berisha nga ana e SPAK-ut” – tha zoti Kikia.
Vëzhguesit e politikës pohuan se ngjarja e sotme është një pikë kulmore në marrëdhëniet shpesh të tensionuara mes SHBA-ve dhe ish presidentit e ish kryeministrit Berisha, aq sa tani listohet si e padëshirueshme edhe gjithë familja Berisha, gjë që është një akt sa i rrallë edhe domethënës, raporton Zëri i Amerikës.
“Shpallja non grata nga sekretari amerikan i shtetit e ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Berisha është një lajm tronditës. Deklarata është një zile zgjimi për zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Shqipërisë dhe një kujtesë për të gjithë se abuzimi me pushtetin dhe shkelja e ligjit, nëse nuk ndëshkohet nga drejtësia vendore, nuk harrohet dhe nuk anashkalohet nga SHBA-të. Një lexim i rëndësishëm i deklaratës ka të bëjë me faktin se në të përcillet një mesazh shumë i rëndësishëm dhe i përsëritur nga Uashingtoni: nevoja për përgjegjshmëri dhe transparencë nga institucionet publike të Shqipërisë ndaj procesit të qeverisjes dhe i veprimeve të zyrtarëve shqiptarë ” – thotë analisti i njohur Lutfi Dervishi.
Analistët e politikës mendojnë se kjo ngjarje do të ndikojë edhe në jetën e Partisë Demokratike, sepse zoti Berisha prej kohësh udhëhoqi atë qysh nga themelimi dhe u akuzua se e mbajti nën kontroll pa ndërprerje, edhe pse humbi zgjedhjet më 2013 dhe u largua me dorëheqje.
Të ngjashme
Të tjera nga Shqipëria
E-Diaspora
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit Valdete Hoti dhe Shoqata “Parandalo”, të cilën ajo e drejton, dëshmojnë se edhe një iniciativë e...
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
Jeta në Zvicër
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit Valdete Hoti dhe Shoqata “Parandalo”, të cilën ajo e drejton, dëshmojnë se edhe një iniciativë e...
-
Gjeneva aktivizon planin e saj të akomodimit emergjent
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik në Zvicër
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch