Kosova

Kosovë: Opozita kritikon Qeverinë për menaxhimin e vaksinimit

Hoxhaj: Sot shteti bëri krim ndaj qytetarëve

Pas shumë grumbullimeve të njerëzve për të marrë vaksinën, partitë opozitare në Kosovë kritikuan Qeverinë e Kosovës për, siç thanë, dështimin për ta menaxhuar procesin e vaksinimit të qytetarëve kundër koronavirusit.

Reagimet e dy partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, vijnë pasi në mëngjesin e së premtes, Policia e Kosovës u desh të ndërhyjë për të vënë rend pranë sallës “1 Tetori” në Prishtinë, ku ishin mbledhur një numër i madh qytetarësh për t’u vaksinuar kundër koronavirusit.

Në sallën “1 Tetori”, prej 12 majit, ka nisur vaksinimi i personave mbi 65 vjeç.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, tha në një konferencë për media se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti duhet të mbajë përgjegjësi morale dhe penale, pasi, sipas tij, shteti ka bërë “krim ndaj qytetarëve”.

“Sot ishim dëshmitarë të skenave tronditëse, ku të moshuarit shtyheshin me njëri-tjetrin, pa fajin e tyre, për ta marrë një vaksinë, ndërsa Qeveria, kryeministri Kurti, ministri [i Shëndetësisë, Arben] Vitia i kishin braktisur ata dhe po i braktisin çdo ditë qytetarët në një betejë të vështirë me pandeminë”.

“Sot ishim dëshmitarë se mungoi shteti, mungoi kryeministri dhe mungoi ministri i Shëndetësisë. Kjo për ne, si PDK, është e papranueshme dhe është e patolerueshme”, tha Hoxhaj.