Kosova

Daut Haradinaj: Donika Gërvalla është vajza e heroit tim, PDK të mos bëjë propagandë

Në një reagim, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka treguar pse nuk është përfshirë në debatin e fundit që është bërë rreth ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për qëndrimin e saj për Gjykatën Speciale.

Haradinaj ka deklaruar se nuk është përfshirë në debat, pasi që ministrja është pasardhëse e një heroi.

“Donika është bashkëvendëse jona, është bija e heroit. Ne i dimë vuajtjet që i ka pasur, ne asnjëherë nuk do të biem pre e situatave politike për ta kritikuar një pasardhëse të heroit tanë”, pohoi ai në Debat Plus të RTV Dukagjinit.

Ndërkaq, sa u përket akuzave që PDK i ka bërë në drejtim të ministres Gërvalla, Haradinaj tha se PDK nuk duhet të bëjë propagandë.

“PDK i ka politikat e veta, e që të zotët e shtëpisë i ka në rrethana më të vështira. Është lehtë të dalësh në shesh e të bësh propagandë. Ata i kanë juristët e tyre, por që në këto rrethana, asnjëra palë nuk do të dalë fitues”, shtoi ai.

Megjithatë, Haradinaj tha se ministrja Gërvalla tashmë është kryediplomate dhe ka për detyrë të përkujdeset për qytetarët e Kosovës.