Kosova

Këta mund të jenë 10 kandidatët e AAK-së për kryetarë të komunave

Për të parin e Prishtinës, në garë nga AAK-ja është Daut Haradinaj

AAK-ja tashmë ka filluar të zyrtarizojë kandidaturat për kryetarë komune për zgjedhjet lokale, përcjell albinfo.ch.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë njoftuar se deri më tani kanë paracaktuar 10 kandidatë për kryetarë komunash.

Sipas kësaj, emrat e kandidatëve që pritet t’i futen garës për të parin e komunës tashmë janë drejt finalizimit.

Prej dhjetë kandidatëve, gjashtë prej tyre janë edhe aktualisht në pozitën e udhëheqësit të komunës, ndërsa katër janë befasi.

Për të parin e Prishtinës, në garë nga AAK-ja është Daut Haradinaj, i cili së fundi liroi postin e deputetit të Kosovës.

Komunën e Pejës synon ta drejtojë Arbër Tolaj, Podujevën tenton ta marrë Besnik Tahiri, kurse në të parin e Istogut synon të jetë Bekë Berisha.

Garës për zgjedhje lokale do t’i futen edhe gjashtë kandidatë aktualë të komunave.

Bëhet fjalë për kryetarin e Suharekës, Bali Muharremaj, kryetarin e Klinës, Zenun Elezaj, kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini, kryetarin e Rahovecit, Smajl Latifi, kryetarin e Junikut, Agron Kuçi dhe kryetarin e Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Derisa AAK-ja pothuajse ka zyrtarizuar të gjitha kandidaturat, partitë e tjera politike akoma nuk kanë bërë publike emrat e nominuar.