Kosova

Presidentja Osmani: Serbia, burim i “non-papers” me ide destabilizuese

Pas zhvillimeve të fundit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia është burimi i dokumenteve të ashtuquajtura “non-papers”, që kanë përbrenda ide destabilizuese për rajonin e Ballkanit, përcjell albinfo.ch.

Në një postimi në rrjetin social Facebook, Osmani ka thënë se Serbia synon që një qasje e tillë të normalizohet dhe të bëhet pjesë e debatit të përditshëm dhe agjendës së dialogut.

“Non-papers” të tillë, lëre që refuzohen nga ana jonë, por as nuk do të mund t’i përcaktojnë veprimet tona e as mbarëvajtjen e dialogut. Leximi i kujdesshëm i këtyre “non-papers” dhe ideve që prezantohen aty (siç janë ndryshimi i kufijve, krijimi i regjioneve autonome apo pushteteve të treta) tregon qartë se kush është hartuesi i vërtetë i këtyre dokumenteve”, ka thënë ajo.

Sipas Osmanit, asnjë dokument i tillë nuk mund të ndryshojë prioritetet që ka Kosova në raport me Serbinë, duke përmendur zbardhjen e fatit të të pagjeturve, drejtësinë dhe reparacionet për dëmet e luftës.

“Non-paper”, është një term që përdoret në BE lidhur me pikat e diskutimeve që ndahen në mënyrë konfidenciale ndërmjet qeverive dhe institucioneve.

Së fundmi, gazeta “Koha Ditore” e ka publikuar këtë dokument, i cili është thënë të jetë hartuar nga Gjermania dhe Franca, si iniciativë për rinisjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, dhe përmbylljen e këtij procesi me një marrëveshje përfundimtare.

Koha Ditore ka shkruar se nuk ka mundur të konfirmojë vërtetësinë e këtij dokumenti, “por disa diplomatë me të cilët ka kontaktuar gazeta, pak a shumë kanë konfirmuar se pikat që përmenden në të janë në përputhje me ato që pritet të diskutohen në dialog”.

Në Qeverinë e Kosovës kanë refuzuar të komentojnë informacionet që përmban ky “non-paper” i ri.

 

Gjermania e ka hedhur poshtë vërtetësinë e “non-paperit” që u tha se është hartuar nga ajo dhe Franca.

“Ky dokument nuk është i vërtetë dhe nuk reflekton në asnjë mënyrë pozicionet e Gjermanisë dhe Francës”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës gjermane, dhënë Radios Evropa e Lirë.

Edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka mohuar të martën se blloku evropian ndan qëndrimet e përmendura “non-paperin” e botur nga mediat në Kosovë.

Në BE pohojnë se janë në përgatitje të një takimi të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, shkruan rel.

Madje Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, ka përmendur edhe datën 11 maj si datë të caktuar për dialog, ndonëse një datë e tillë nuk është konfirmuar nga Qeveria e Kosovës.

Mirëpo zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë më 26 prill se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka marrë kurrfarë ftese as njoftimi për takim në këtë datë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten do të ketë takime me zyrtarë të lartë të BE-së ku dialogu, sikur edhe përgatitjet për takimin e tij me presidentin e Serbisë, do të jenë ndër temat e diskutimeve.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011. /Albinfo.ch