Gruaja
A mund të shkruajmë për përvojën personale, pa gjykuar një popull të tërë?
Nëse jemi personalisht të frustruar sepse kemi lindur në një rreth shqiptar ku vajza është e shtypur apo unë si vajzë nuk ndihem e pranuar apo e respektuar, mund të shkruajmë për përvojën personale pa e gjykuar një popull të tërë
Në shtojcën javore “Magazin” të gazetës “Tages Anzeiger” është publikuar një artikull i Kaltërina Latifit, studiuese e letërsisë nga Zvicra. Në artikull flitet me tone kritike mbi (pa)barazinë e gruas në shoqërinë shqiptare. Autorja flet, veç tjerash, për rolin inferior të gruas në këtë shoqëri, duke marrë si shembull pjesëtare të familjes dhe rrethit të saj të prejardhjes.
Fitore Vata, që punon në nivelet drejtuese të një kompanie të njohur zvicerane, përmes një postimi në fb i është kundërvënë autores së përmendur.
Albinfo.ch publikon këtë koment, me lejen e autores.
Sot e lexova këtë artikull të Kaltërina Latifit në Tagesanzeiger me titullin: “Kosovarja – grua e dashur, nënë dhe robëreshë!”.
Kaltërina në këtë artikull kritikon ashpër popullin shqiptar si popull patriarkal, si popull që nuk i do dhe nuk i vlerëson femrat. Popull që feston në përgjithësi vetëm lindjen e djemve. Që fyejnë vetëm gratë si p.sh. «ta q… nanën» e jo «ta q… babën». E thekson këtë fenomen në një kontekst shizofren ku në njërën anë meshkujt i adhurojnë nënat e tyre dhe në tjetrën i ofendojnë ato. Shkruan që gjysma e femrave shqiptare në Zvicër në të njëzetat e tyre janë të martuara dhe e merr moshën e martesës si indikator për të treguar që ende kemi ngelur në mesjetë.
Kaltërinë! Na e ke borxh një statistikë më të detajuar sepse në të 20-at je me 20 vjet por je edhe me 29 .
Pastaj vazhdon dhe e shqyrton temën e burrëreshave në trojet shqiptare ku jetohet (praktikohet) ende kanuni por me njohuri sipërfaqësore. Ajo shkruan që disa gra në trojet ku praktikohet kanuni bëhen burrëresha sepse duan të gëzojnë lirinë e një mashkulli. Po të kishte hulumtuar autorja vetëm 10 minuta do e kishte kuptuar që ato në përgjithësi nuk bëhen burrëresha nga qejfi.
Nuk është hera e parë që femrat shqiptare i shfrytëzojnë mediat (apo mediat i shfrytëzojnë ato) duke luajtur kartën e viktimës për të vlerësuar shqiptarët në përgjithësi nga pikëpamja apo përvoja e tyre personale. Mendimi personal në një kolumne është e drejta e autorit. Nëse jemi personalisht të frustruar sepse kemi lindur në një rreth shqiptar ku vajza është e shtypur apo unë si vajzë nuk ndihem e pranuar apo e respektuar, mund të shkruajmë për përvojën personale pa e gjykuar një popull të tërë. Përjashtojmë shkencëtarët që hulumtojnë me vite dhe bazohen në evidencë. Përndryshe pika e intolerancës arrihet kur e vlerëson një popull të tërë me një palë sy që ke. A duhet patjetër të shokojmë apo paushallizojmë që të gëzojmë audiencë? Pse Kaltërinë e bën një gjë të tillë? Për famë? Për hakmarrje? Për çfarë? Ku po të dhemb? Pse ofendon një popull të tërë? Pse i gjykon femrat (implicit) që e duan faktin që janë femra dhe duan të gjejnë princin e tyre? Femra mund të bëjë çfarë ajo të dojë. Mund të veshë fustane, të mbathë këpucë me taka 12cm, të ketë 4 apo 5 fëmijë, të ketë burrë shqiptar, të mbajë flokët e gjata, të duket si barbi dhe të jetë njëkohësisht avokate, mjeke, gazetare, shkencëtare, ekonomiste apo presidente. Por mund të jetë edhe e kundërta. Të qenët femër shqiptare nuk të kufizon të jetosh atë që ndjen brenda vetes. Të kufizon rrethi/familja ku ti ke lindur. Jam shumë dakord që kemi shumë femra të shtypura në Kosovë. Por kemi pasur gjithmonë dhe kemi shumë femra që vijnë nga familje me traditë feministe.
Pse e merr gjyshen tënde si shembull që dëshironte të ishte një mashkull ngase ajo, e lindur në vitet e dyzeta, nuk gëzonte shumë të drejta në një shoqëri patriarkale? Ti a nuk e di se në atë kohë shumica e shoqërive në botë ishin patriarkale? Ti a nuk e di – që je e rritur në Zvicër – që femrat zvicerane deri në vitet e 70-ta nuk kishin drejtë votimi? A e di ti që edhe sot shumë femra në Zvicër ose më mirë të them në të gjithë botën, nuk gëzojnë të drejtat e barabarta me meshkuj?
Shembulli i sharjes së nënës si “ta q… nanën” në kontekstin tënd është shembull kot fare. Ke dëgjuar ti në gjuhë tjera se si dikush shan “ta q… babën? Unë jo. Shumica shajnë me nënë dhe me motër. Nganjëherë edhe me teze e hallë. Është edhe ky një shembull si fryt i botës patriarkale që zotëron deri sot. Zotëron në botë e dashur, jo vetëm në Kosovë.
Jam dakord me Kaltërinën në shumë pika por nuk jemi edhe aq të prapambetur. Rrezikun më të madh që e kemi në mesin tonë është rritja e mungesës së identifikimit me nacion, komb dhe njëkohësisht rritja e asaj me religjion. Por edhe ky zhvillim mund të shpjegohet në mënyrë objektive. Për vajza si Kaltërina kemi shumë nevojë sepse është një vajzë e mençur, e lexuar, shumë e talentuar por siç duket këtë artikull e ka shkruar si hakmarrje personale.
Si përfundim: Unë, Kaltërinë, nuk doja asnjëherë të jem princ, as kurrë nuk kam dashur të martohem me një princ. Gjithmonë kam pasur qëllim të jem mbretëreshë. Një mbretëreshë si Shote Galica, si Nënë Tereza, si Teuta dhe sot si Vjosa Osmani. Doja të isha një mbretëreshë si gjyshet e mia e nënat tona që ishin, janë dhe do të mbeten mbretëreshat e popullit tonë.
P.S. Ky është një opinion i autores dhe jo domosdoshmërisht pasqyron qëndrimin e redaksisë së albinfo.ch.
Të ngjashme
Të tjera nga Gruaja
E-Diaspora
-
Bernë: Dorëzohet për votim nisma që kërkon lehtësim të natyralizimit “Aktion Vierviertel” ("Katër të katërtat) ka dorëzuar sot në Bernë “Nismën për Demokracinë”, në krye të...
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
Jeta në Zvicër
-
Bernë: Dorëzohet për votim nisma që kërkon lehtësim të natyralizimit “Aktion Vierviertel” ("Katër të katërtat) ka dorëzuar sot në Bernë “Nismën për Demokracinë”, në krye të...
-
Gjykata Federale: Personat mbipeshë tani mund të marrin pension IV
-
Priten reshje të dendura bore në Zvicër: Këto rrugë tashmë janë mbyllur
-
Zviceranët do të votojnë për natyralizim më të lehtë
-
Më shumë fleksibilitet për të ndryshuar mbulimin e sigurimit shëndetësor në Zvicër