Kosova

Shefi i BE-së: Publikimi i listës së bizneseve përfituese, vendim i duhur

Pas vendimit të Qeverisë për ndihmen e bizneseve në Kosovë, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, e ka quajtur vendim të duhur publikimin e listës së bizneseve që kanë përfituar më së shumti nga Pako e Rimëkëmbjes Ekonomike, përcjell albinfo.ch.

Ai përmes një postimi në Twitter ka thënë se e mbështet vendimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili bëri publike këtë listë.

Sipas tij, theksohet si hap pozitiv drejt transparencës dhe llogaridhënies.

“Mbështes vendimin e Hekuran Muratit për publikimin e listës me 50 përfituesit më të mëdhenj të fondeve publike të Kosovës. Një hap pozitiv drejt transparencës dhe llogaridhënies. Ky është një kusht me të cilin BE-ja u pajtua me Kosovën kur u nënshkrua marrëveshja e huasë për ndihmë makro financiare prej 100 milionë eurosh”, ka shkruar Szunyog.

Shefi i BE-së, më tej ka thënë se masat ndihmëse duhet t’i kenë në fokus audiencat e duhura, të jenë të mirëdizajnuara dhe të jenë transparente.