Kosova
Kërkohet shkarkimi i Bordit të RTK-së
Përfaqësues të Sindikatës së Pavarur të RTK-së, në përbërje të kryetarit Fadil Hoxha, anëtarëve të kryesisë Adriana Morina dhe Veton Rugova, janë takuar sot në ambientet e Kuvendit të Kosovës me kryetaren e Komisionit Parlamentar për Medie, Doarsa Kica, nënkryetarin Valon Ramadani dhe anëtarët e kryesisë, Njazi Isaku, Fitim Haziri dhe Besim Muzaqi.
Udheheqësit sindikal njoftojnë se bazuar në vendimet e jashtëligjshme dhe tejet të dëmshme për Transmetuesin Publik, të punësuarit e saj si dhe publikun e gjerë, kërkuan nga deputetët e komisionit përkatës që urgjentisht t’i nisin procedurat për shkarkimin e Bordit të RTK-së.
Njoftimi i Sindikatës:
Sindikalistët ofruan dëshmi të faktuara të cilat implikojnë Bordin e RTK-së në paligjshmëri dhe vendimarrje të dëmshme për Transmetuesin Publik, të cilat i keni të listuara më poshtë:
1. Zgjedhja e drejtorit gjeneral të RTK-së pa votën e 2/3 të anëtarëve të Bordit ashtu siç parashihet në nenin 32, pikën 3 të ligjit të RTK-së: “Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së emërohet dhe shkarkohet me 2/3 e votave të anëtarëve të Bordit.”
2.Zgjedhja në pozitën e Drejtorit të RTK 2 të personit i cili duke qenë redaktor i portalit kosovoonline.com, ka shtyrë përpara agjenda të dëmshme për vendin, njëra prej tyre është ndarja e RTK 2 prej RTK. Për këtë vendim kishte reaguar edhe ish kryetari, njëherit nënkryetarit aktual i Komisionit QLAPZHRM, Mërgim Lushtaku, i cili ndër të tjera, më 3 nëntor 2020 thotë se me zgjedhjen e Zhelko Trvdishiqit drejtor të RTK2 ”është cenuar siguria shtetërore”.
3. Zgjedhja në pozitën e zëvendës drejtorit gjeneral të RTK-së të personit i cili në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 votuesit i kishte quajtur prorusë dhe antiperëndimorë, duke shkelur kështu rëndë standardet profesionale dhe parimet e gazetarisë të cilat janë të miratuara nga vet Bordi i RTK-së. Po ashtu të pranishmëve si dëshmi iu ofrua edhe materiali prej 28 faqesh i ish anëtarit të Bordit të RTK-së, Hisen Berisha i cili ndër të tjera thotë: “RTK është shndërruar në vend të manipulimit me paranë publike, keqmenxhimit, konfliktit të interesit, tejkalimeve të qëllimshme buxhetore, punësimeve pa kritere, mospërfillje të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm, refuzim të bashkëpunimit me auditorë të brendshëm, etj.” Ky material është publikuar në vitin 2015 dhe përfshinë periudhën kur zv. drejtori gjeneral i tanishëm, Mentor Shala ishte drejtor gjeneral i RTK-së.
4.Miratimi nga Bordi i propozimit të drejtorit Ngadhnjim Kastrati për zgjedhjen e Driton Morinës në pozitën e Udhëheqësit të Shërbimeve të Përbashkëta, pa e plotësuar njërin prej kritereve kryesore të paraparë me konkurs, përvojën e punës.
5.Punësimet klienteliste, nepotike e partiake.Vetëm përgjatë tetorit të 2020 janë realizuar pesëmbëdhjetë punësime të reja me kontratë të rregullt, megjithë mbipopullimin me staf dhe gjendjen e vështirë financiare si pasojë e borxheve milionëshe të krijuara nga shpenzimet e pakontrolluara të cilat po e rrezikojnë çdo ditë stabilitetin e RTK-së. Njëra prej të punësuarve në RTK-Radio me këtë konkurs është bashkëshortja e Valmir Klaiqit, ish këshilltarit të Kadri Veseli. Gjatë viteve (2020-2021) kanë ndodhë dhjetëra punësime me kontratë mbi vepër, ku janë përfshirë familjarë të kryetarit aktual të Bordit Sali Bashota (dhëndri), drejtoreshës së financave, Adelina Hyseni-Valla (motra), të ish presidentit Thaçi (djali i vëllaut), të anëtarit të PDK-së, Migjen Kelmendi (vajza) etj. Është me rëndësi të theksohet se me kontratë mbi vepër në shumë raste angazhohen persona të cilët nuk kanë asnjë angazhim dhe fare nuk vinë në punë, siç është rasti i Leotrim Thaçi. Madje ky person ka kontratën e Menaxherit të njësisë për të Drejta Autoriale të cilën kontratë e ka edhe kolegu Naser Gjinovci. Përveç kësaj, angazhimi në pozita menaxheriale me kontratë mbi vepër është i kundërligjshëm.
6.Shpërblimet e familjarëve të Menaxhmentit.
Babai i zv.drejtorit aktual gjeneral, Lorik Arifajt është shpërblyer financiarisht pasi që është penzionuar. Me mjete shtesë financiare, përveç pagës së rregullt është shpërblyer edhe bashkëshortja e zv. drejtorit gjeneral, Mentor Shalës.
7.Mospagesa, për pesë muaj rresht (prill-shtator 2020) e Trustit të të punësuarve, edhe pse paratë atyre iu ishin marrë nga pagat në fillim të çdo muaji. Ky veprim i menaxhmentit është bërë pa dijeninë e të punësuarve. Si pasojë e kësaj papërgjegjësie, të punësuarit e RTK-së për këtë periudhë kohore janë privuar nga e drejta për përfitime nga investimet ne aksione, pasi që, Trusti Pensional, siç e dimë, paratë e grumbulluara nga të punësuarit i investon kryesisht në tregje ndërkombëtare dhe përfitimet e realizuara nga këto investime ua ndan kontributdhënësve.
8.Veprimet diskriminuese ndaj të punësuarve gjatë shpërndarjes së ndihmave solidare. Ndihmat solidare të cilat u jepen të punësuarve për rastet e vdekjeve, me vite të tëra janë shpërndarë në mënyrë selektive.
9.Veprimet diskriminuese gjatë procesit të avancimeve dhe shpërblimeve të të punësuarve. Janë punësuar dhe avancuar familjarë të ish kryetares së Bordit, Afërdita Maliqi, (djali i dajës Jeton Sopi dhe reja e dajës Kristina Sopi). Afërdita Maliqi është nënshkruese e vendimit të paligjshëm të zgjedhjes së drejtorit gjeneral, Ngadhnjim Kastratit. Gjatë muajit shkurt të këtij viti, Jeton Sopi u arrestua së bashku me një grup të kidnapuesve në Gjilan dhe ai ndodhet në paraburgim. Sipas raportit të policisë, Jeton Sopi kishte të kaluar kriminale. Përveç pagës bazë, ky person deri në ditën e arrestimit ka marrë edhe pagë shtesë në formë të aneks kontratës. Vetëm brenda dy viteve, Jeton Sopi nga një fillestar është avancuar në pozitën më të lartë në katalogun e vendeve të punës, Mjeshtër zëri, pozitë të cilën të punësuarit e tjerë në RTK nuk mund ta arrijnë edhe pse kanë më shumë se 15 vjet përvojë pune në RTK. Me pagë të dyfishtë është paguar edhe drejtoresha e financave, Adelina Valla si dhe Udheheqësi i Administratës, Erzen Këpuska. Vitin e kaluar (2020), gjatë raportimit në komisionet përkatëse të Kuvendit, Bordi i RTK-së kishte deklaruar se i ka ndërprerë të gjitha aneks kontratat (pagat shtesë).
10.Menaxhmenti i RTK-së ka penguar Auditorin Gjeneral, duke mos bashkëpunuar me të, që të realizojë auditimin e performancës në RTK. Ky auditim ka filluar në fund të vitit 2018 dhe ende nuk ka përfunduar. E në anën tjetër Menaxhmenti i RTK-së shpenzon mijëra euro të buxhetit duke angazhuar auditor privat.
SPRTK, përveç shkarkimit të Bordit, kërkon nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që t’i nisë procedurat për formimin e Komisionit Hetues Parlamentar me qëllim të kuptimit të vërtetës rreth ligjshmërisë së kontratave pa kritere e pa mbulesë financiare; blerjes së produkteve televizive të cilësisë së dobët nga producentë të cilat janë familjarë të personave politikë; punësimeve pa kontrollë e pa kritere, borxheve milionëshe etj.
Një hetimi të detajuar duhet t’i nënshtrohen edhe paratë e shpenzuara për qiramarrje të pajisjeve teknike.
Vetëm me një kontratë për digjitalizim të një pjese të vogël të materialeve të vjetra televizive, gjatë vitit 2018, RTK ka shpenzuar 289 mijë euro. Sipas një raporti të kompanisë franceze “INA” të financuar nga EBU, këto materiale do të mund të digjitalizoheshin nga stafi i RTK-së dhe me një kosto shumë më të vogël.
Gjithashtu, çështja e pronës, objektit dhe financimit të qëndrueshëm, duhet të marrin epilog në kuadër të ligjit të RTK-së.
Ne presim nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që të reagojnë shpejt dhe të jenë efikas në trajtimin e këtyre çështjeve shumë të rëndësishme për Transmetuesin e vetëm Publik në vend.
Misioni i SPRTK-së do të vazhdojë të jetë mbrojtja e interesit të Trasmetuesit Publik dhe të punësuarve të saj, por njëkohësisht edhe ruajtja e parasë së taksapaguesve dhe mu për këtë e konsiderojmë obligim tonin jo vetëm sindikal, por edhe qytetar që ta denoncojmë çdo veprimtari të kundërligjshme, publikisht dhe pranë Parlamentit të Kosovës i cili është mbikqyrës i Transmetuesit Publik.
E-Diaspora
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka...
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor