Lajme

Austri: Vaksina ruse “Sputnik V”, vetëm pas miratimit nga EMA

Qeveria austriake ka rënë dakord për të blerë 1 milion doza vaksine ruse “Sputnik V”. Mirëpo vaksina nuk do të përdoret pa miratimin e Agjencisë Evropiane të Barnave. Kështu ka deklaruar të hënën kancelari austriak, Sebastian Kurz, gjatë inaugurimit të Wolfgang Mückstein si ministër i ri i Shëndetësisë në Austri, shkruan diepresse.com.

Kancelari Kurz ka theksuar se përdorimi është planifikuar vetëm pasi të miratohet nga EMA.

“Shpresojmë që shpejt të miratohet nga EMA pasi çdo dozë shtesë e vaksinës na ndihmon të shpëtojmë jetë dhe të kthehemi në normalitet”, ka thënë Kurz, përcjell albinfo.at.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Wolfgang Mückstein, në paraqitjen e tij të parë si ministër e quajti Sputnikun “të mirë”. Por, tha ai, miratimi nga EMA është një parakusht i rëndësishëm. Sidoqoftë, falë shpërndarjes më të shpejtë të Biontech / Pfizer, të gjithë mund të vaksinohen deri në verë.