Lajme

21 për qind e austriakëve dëshirojnë t’i kalojnë pushimet jashtë vendit

Gjithnjë e më shumë njerëz janë duke u vaksinuar në Austri. Numri i infeksioneve të reja është në rënie. Lehtësim i masave dhe rikthim i jetës normale do të ndodhë gjatë javëve të ardhshme. Kulmi i valës së tretë të koronavirusit duket se është tejkaluar tashmë jo vetëm në Austri, por në gjithë Evropën

Pavarësisht situatës me koronavirusin, qytetarët austriakë vazhdojnë të jenë të kujdesshëm dhe shumica ende nuk kanë bërë planet e tyre në lidhje me pushimet verore, njofton albinfo.at.

Vetëm një e pesta e austriakëve, apo 21 për qind dëshirojnë të bëjnë pushime jashtë vendit këtë vit, ndërsa 27 për qind mendojnë të kalojnë në vendin e tyre, shkruan krone.at.

39 për qind e austriakëve as nuk kanë planifikuar pushimet e tyre verore, raporton revista “Profil” bazuar në një sondazh të 500 austriakëve. 13 për qind ende nuk janë të vendosur saktësisht nëse duan të udhëtojnë jashtë vendit për pushime.

Situatë e ngjashme si në vitin e kaluar

Planet e pushimeve nuk kanë ndryshuar shumë krahasuar me vitin e kaluar, pra vitin e parë të pandemisë. Një sondazh i tillë ishte bërë edhe në maj të vitit 2020. Në atë kohë, 13 për qind kishin planifikuar pushimet jashtë vendit, 31 për qind dëshironin që pushimet t’i kalonin në Austri, kurse 46 për qind nuk kishin fare plane udhëtimi.

Konkurrencë për turistët austriakë

Shumë vende turistike kanë premtuar se nga muaj maj do të hapin sezonin veror. Mirëpo, për turistët austriakë një konkurrencë është duke u zhvilluar mes Italisë dhe Greqisë, përcjell albinfo.at.

Si në vitin e kaluar, disa rajone po garojnë për turistë nga Austria, të tilla si Venecia në Itali. Të gjithë njerëzit mbi 60 vjeç në Venecia duhet të vaksinohen deri në verë. “Ne duam të bëhemi një rajon pa koronavirus”, tha Presidenti i Venecias, Luca Zaia. “Ne duam të fillojmë sezonin veror sa më shpejt të jetë e mundur dhe të mirëpresim mysafirët tanë nga Austria dhe Gjermania. Jam i sigurt që, falë fushatës sonë të vaksinimit, ne mund ta fillojmë verën pa shqetësime”, tha Zaia. Ai tha se është i sigurt se karantina pesë-ditore për njerëzit që duan të udhëtojnë në Itali së shpejti do të shfuqizohet.

Greqia hap kufij për pushuesit në mes të majit

Një destinacion i preferuar i austriakëve është edhe Greqia. Në anën tjetër, edhe Greqia po kërkon gjithashtu pushues dhe ka njoftuar se qytetarët e BE-së do të jenë në gjendje të hyjnë dhe të shkojnë me pushime nga 14 maj pa detyrimin për karantinë. Kjo u njoftua nga zëvendësministrja greke për Turizmin, Sofia Zacharaki, të hënën. Por do të ketë parakushte: “Pushuesit ose duhet të vaksinohen ose të tregojnë një test PCR-test të koronës”, tha ajo.