Kosova
“Vjosa Foundation”, një projekt që ka rrënjët në dashurinë prindërore
Fondacioni me emrin “Vjosa”, i ngritur nga Lulzim Behxheti ka rrënjët në dashurinë e një prindi për fëmijën e vet. Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me themeluesin
Fëmijët autistë, thuhet se japin dashurinë njerëzore më të pakushtëzuar në botë. Këtë e dinë më së miri ata që këta fëmijë i kanë në familje. Lulzim Behxheti është njëri prej tyre. Vjosa, vajza e tij e lindur në vitin 1989, ka sindromin e autizmit dhe, si e tillë, sigurisht që ka pasur nevojë për trajtim të veçantë. Një trajtim që jo gjithmonë dhe jo gjithkund ofrohet në masë të mjaftueshme. Duke u nisur nga kjo gjendje dhe, mbi të gjitha, i shtyrë nga dashuria për të bijën, ai ka synuar të bëjë diçka më shumë se sa të qëndrojë duarkryq.
Dhe, këtë “diçka më shumë” ai e ka menduar jo vetëm për të bijën por për të gjithë fëmijët autistë. Para së gjithash, për ata në Kosovë. Këtu zë fill dhe fondacioni i krijuar nga Luli dhe i regjistruar në vendin ku jeton, në Finlandë, të cilit i ka vënë emrin e tij më të dashur, “Vjosa”. Lulzim Behxheti shpalos për albinfo.ch projektin e tij.
Albinfo.ch: Muajve të fundit është vënë re pasur një prani e madhe e juaja, në mediat e Kosovës dhe të Shqipërisë. Këto paraqitje fokusohen në fondacionin “Vjosa” të themeluar dhe drejtuar nga ju. Na tregoni me pak fjalë: Si ka lindur ideja, kur dhe ku është themeluar, çfarë synohet përmes tij?
Lulzim Behxheti: Ideja lindi vitin e kaluar, gjatë pandemisë, kur isha në Krakow të Polonisë. Nga pamundësia e lëvizjes, në një bisedë telefonike me një mike timen, i bëra një portret-skicë dhe ia dërgova ne fb. Ajo e kishte postuar dhe pastaj miqtë tjerë filluan të më kërkonin t`ua bëja një portret të tillë. Dhe, kështu u bënë shpejt diku 100 të tilla. Kisha vendosur asokohe t`i bëja 100 sosh dhe t`ia dhuroja Galerisë së Arteve të Kosovës, ku ato do të shiteshin dhe të ardhurat t`i dhuroheshin ndonjë shoqate të autizmit në Kosovë. Mirëpo, falë kërkesave enorme, kjo ide u shndërrua në një kauzë. Sot kam bërë tashmë afër 1100 portrete të figurave të ndryshme shqiptare e botërore. Portretet janë bërë sinonim i VJOSA FOUNDATION dhe do të vazhdoj edhe më tej me skicime. Kam në plan që në një event të organizuar të shiten në ankand të gjitha skicat dhe të ardhurat t`i dhurohen fondacionit.
Albinfo.ch: A është ky aktivitet i kufizuar vetëm në Kosovë?
L.B.: Aktiviteti i Fondacionit tashmë nuk është vetëm në Kosovë ngase kam marrë ftesën nga WHO (Organizata Botërore e Shëndetësisë) për të marrë pjesë në Gjenevë, në Asamblenë e përgjithshme ku do të paraqes projektin e VJOSA RESORT. Pos kësaj isha pjesëmarrës edhe në Konferencën Ballkanike të autizmit që u mbajt online në Prishtinë. Morëm pjesë edhe në WISE (Samiti ndërkombëtar i arsimit dhe inovacioneve) që mbahet në Qatar. Nga 135 pjesëmarrës, jemi në mesin e të nominuarve në top 5. Shpërblimi për fituesin është 500.000$ dhe nëse e fitojmë këtë shpërblim, do t`ia dhuroj fondacionit. Të gjitha këto aktivitete na bëjnë krenarë se puna jonë tashmë ka marrë përmasa botërore dhe fondacioni tashmë ka një emër botëror. Dhe kjo është arritur në masë të madhe falë Alea Mehaj-t, një aktoreje të vogël kosovare në Hollivud. Alea ishte në faqet e revistës prestigjioze, te Carolina Herrera, ku foli për VJOSA FONDACION. Pra Fondacioni ka dy ambasadoret e veta permanente, Alea Mehaj dhe Erza Muqolli të cilat e bëjnë VF të njihet botërisht. VF është themeluar para 6 muaj dhe si i tillë është e regjistruar ne Helsinki të Finlandës.
Albinfo.ch: Deri më tani, cilat kanë qenë punët konkrete që ka kryer ky fondacion?
L.B.: Deri tani jemi fokusuar në gjetjen e lokacioneve të mundshme ku do të ndërtohen “Vjosa Resortet”. Nga komunat nuk kemi hasur në kurrfarë mirëkuptimi andaj jemi detyruar të orientohemi në sektorin privat. Dhe kjo na sjell telashe ngase, në vend se me fondet tona të ndërtojmë resortet, ne duhet të ballafaqohemi me kontratat private të cilat jo domosdoshmërisht janë të lehta. Por falë njerëzve të mirë është arritur një zgjidhje. Kështu, lokacioni në Mramor na edhe dhuruar pa kompensim nga dy afaristë ndërsa në rastin e tokës në Strezovc na është mundësuar një marrëveshje e vetëqëndrueshme. Sidoqoftë këto lëvizje do të duhej t`i bënin komunat.
Albinfo.ch: Si mbijeton fondacioni gjegjësisht si grumbullohen të hyrat e nevojshme për projektet që zhvillon ai?
L.B.: Për momentin VF funksionon me të ardhurat e ndara nga familja jonë si dhe nga fondacionet e pakta. Kemi planifikuar të mbajmë koncerte me këngëtaret tona të famshme në botë, mirëpo, a do të lejohet kjo, mbetet të shihet ngase pandemia na bën telashe organizative. Besojmë se nuk do të kemi problem në mbledhjen e fondeve, ngase jemi të regjistruar edhe ne “Gofundme” si një nga mundësitë e thithjes së donacioneve.
Albinfo.ch: Aktualisht jeni para projektit për ngritjen e një resori për adoleshentë autistë. A na sqaroni për çfarë është konkretisht fjala, çka përfshin ky projekt, çka synohet me të?
L.B.: Qëllimi i këtij projekti është të ndërtohet një resort veteqëndrues (vetëmbajtës) në kuadrin e të cilit do të jenë 30 vende për trajnim, ku do të trajnohen adoleshentët autistë për një jetë të pavarur. Trajnimi do të zgjasë 2 vite dhe do të bëhet nga stafi profesional, i shkolluar nga shteti i Finlandës. Do të ndërtohet edhe godina e banimit permanent me rreth 50 banesa. Këtu do të jetojnë adoleshentet autistë, pas trajnimit dyvjeçar. Do të ketë mundësi që edhe familjarët të banojnë aty. Pos kësaj do të ndërtohen edhe 50 shtëpi turistike që do të jepen me qira dhe do të mirëmbahen nga të rinjtë me autizëm. Në lokacion do të jetë edhe restoranti ku do të punësohen të rinjtë autistë. Me këto që po synojmë, ne do të krijojmë një gjë unikë në Botë: një vend trajnimi, banim permanent si dhe do të punësohen të rinjtë autistë. Duke shtuar këtu edhe punësimin e stafit profesional kosovar, kjo do të jetë një risi në Botë. Dhe si e tillë do të prezantohet në Qatar dhe Gjenevë. Qëllimi ynë është që resorti të gjenerojë të ardhura të cilat do të mbeten në VF dhe në këtë mënyrë nuk do të varemi nga askush.
Albinfo.ch: A keni ndonjë përkrahje materiale ose tjetër nga vendi ku jetoni, Finlanda?
L.B.: Isha i ftuar ne Ambasadën e Finlandës në Kosovë, nga z. Pia. Biseduam për mundësinë e hapjes se një instituti arsimor ku do të shkollohet stafi profesional që do të punojë nëpër Resortet Vjosa. Kjo do të financohet nga Finlanda. Fillimisht biseduam se vendi i këtij instituti të jetë në kuadër të Vjosa Resort, ngase stafi i ardhshëm aty do të bëjë edhe praktikën.
Albinfo.ch: Ju, së fundi keni bërë publike edhe kandidaturën tuaj për kryetar të Gjilanit. Si ju lindi kjo ide? Çfarë ju shtyri për të kandiduar?
L.B.: Është e saktë se e kam bërë publike kandidaturën time për kreun e qytetit të Gjilanit. Shtytëse për këtë ishte se më dhemb shpirti kur shoh degradimin që i është bërë qytetit tim, në çdo sferë. Kujtoj se ka ardhur koha e punës ndryshe, të menduarit ndryshe, te zgjohemi nga gjumi 20 vjeçar .
Albinfo.ch: Duke qenë se jeni pjesë e diasporës, ndërsa edhe ne si medium jemi në shërbim të kësaj diaspore, si e mendoni përfshirjen e mërgimtarëve në zhvillimet politike në vendlindje? Si shembull më të freskët i kemi zgjedhjet që posa u mbajtën në Kosovë.
L.B.: Pikërisht diaspora duhet te jetë bartësja e ndryshimeve në Kosovë. Por edhe përgjegjësitë duhet të jenë në nivel të lartë. Kemi njerëz të zotë në diasporë, të rinj të shkolluar dhe afaristë të sprovuar. I duhet dhënë mundësia diasporës. Konkretisht duhet kërkuar nga diaspora projekte konkrete për investime prodhuese në Kosovë, e jo për shërbime, siç është tani. Pra, po flas duke u nisur nga vetja kam synim të hapë fabrikat e prodhimit të shtëpive ekologjike, të parat në Ballkan. Sipërmarrës të ngjashëm ka shumë shumë në diasporë. Duhet pak guxim dhe vullnet.
Albinfo.ch: Diçka për artin. Ju kemi parë kohëve të fundit të paraqiteni me portrete të vogla “kroki”, kryesisht në fb. Krahas arkitekturës, a jeni marrë edhe me art, gjegjësisht me vizatim edhe më parë apo ishte ky një shpërthim rasti i muajve të fundit ?
L.B.: Arti është pjesë e jetës sime. Mbaj mend se portretin e parë që kam pasur guximin t`ia tregoj dikujt, ka qenë skica që i kisha bërë Tevides (gruas) para rreth 40 vitesh. Mirëpo më pas nuk kam bërë skica, por lapsin e kam përdorur në profesionin tim ngase edhe sot projektet tona i filloj me skicime të lira, e më pastaj Genci i proceson më tutje. Këto skica njerëzish më bëjnë të ndihem mirë, tu dhuroj miqve një respekt dhe vëmendje. Tani çdonjëri që i bëj skicën, më kthen përgjigjen se është privilegj që përmes skicës, do të jetë mbështetës të VF. Dhe kjo me mbush zemrën plot gëzim.
Pak biografi
Lulzim Behxheti, i lindur në vitin 1962 në Gjilan, me profesion është arkitekt dizajni. Shkollimin universitar e ka filluar në UP në Fakultetin Teknik. Pas dy vitesh, për shkaqe politike bashkë me të shoqen, Teviden, braktis Kosovën dhe shpërngulet në Zvicër, Gjenevë. Nga atje kthehet në Kosovë, në vitin 1985. Ishin kohë të vështira dhe përsëri detyrohet të marrë rrugën e mërgimit më 1990. Kësaj radhe në Helsinki, Finlandë. Atje ka shuar si hendbollist dhe ka luajtur për disa vite, derisa, nga lëndimi i gjurit, braktis sportin. Pastaj i është përveshur vazhdimit të studimeve dhe më 2003 ka mbaruar studimet e ndërprera, në degën e arkitekturës në RATO. Që atëherë ai ushtron profesionin e arkitektit.
“Shtëpia e së ardhmes”
“Në fillim blinim lokale të zbrazëta, i kthenim në restorante dhe i shisnim. Më pas, me rritjen e djalit të madh, Blerimit e filluam biznesin me banesa. I blinim të vjetra dhe i rinovonim dhe më pas i shitnim. Dizajni ynë bëri një bujë në tregun Finlandez dhe puna jonë u bë e kërkuar. Dhe kështu tani ne prodhojmë shtëpi ekologjike në një teknologji të re nga druri masiv CLT ( cross laminated timber). Biznesi ynë është familjar, ku Tevidja merret me dizajn të ngjyrave, Genci bën vizualizimet, Blerimi udhëheq biznesin ndërsa unë i ndihmoj ngapak të gjithë. Puna jonë është shpërblyer me një mirënjohje në vitin 2019 në Finlandë, si “Shtëpia e së ardhmes”.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake Edona Bilali është deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ku përfaqëson Qarkun e Shkodrës, që...
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
Jeta në Zvicër
-
Më shumë fleksibilitet për të ndryshuar mbulimin e sigurimit shëndetësor në Zvicër Nga 1 janari 2025, konsumatorët do të mund të ndryshojnë modelin e tyre të sigurimit kur...
-
Këshilli Federal rekomandon refuzimin e “Iniciativës foie gras”
-
Cilat janë kooperativat zvicerane të strehimit dhe a mund t’i aksesoni ato?
-
Zvicër: Dardanët presin përkrahjen e bashkatdhetarëve
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor