Kosova

Përse Vetëvendosje e Kosovës po bën fushatë në Shqipëri (VIDEO)

Ka kohë që Lëvizja Vetëvendosje po bën fushatë për kandidatë të deputetëve në zgjedhjet e prillit. Sipas kësaj, grupe aktivistësh të Lëvizjes Vetëvendosje kanë udhëtuar për në Shqipëri për t’u ndihmuar në fushatën zgjedhore kandidatëve të këtij subjekti, përcjell albinfo.ch.

Këtyre u janë bashkuar edhe figura kyçe të partisë, deputetë e ministra të Qeverisë Kurti.

Ndryshe nga masat që mori ekzekutivi në Prishtinë, këtu po lejohet grumbullimi i qytetarëve, si grupi që po i prin ministri kosovar i Mjedisit e Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Madje, edhe kafenetë janë të hapura, gjë që e shfrytëzon deputeti Valon Ramadani.

Ndërkaq Kurti postimet e fundit i ka fokusuar në përkrahje të kandidaturës së Boiken Abazit, Iliaz Shehut e Kreshnik Merxhanit, në qarqet e Tiranës, Lezhës e Gjirokastrës.

Këta po kritikohen nga opozita se po angazhohen për zgjedhjet në Shqipëri, në një kohë krize pandemike e ekonomike në Kosovë.

Aktivisti shqiptar, Ervin Goci, thotë se kjo formë është devijim nga standardi zgjedhor, veçse se nuk është ndërhyrje, por tentim për të ndikuar te votuesit.

Megjithëse nuk e sheh si negativ lobimin, Goci e sheh si gabim mënyrën e njëjtë të të bërit fushatë nga Vetëvendosje, ashtu siç veproi në shkurt të këtij viti në Kosovë.

Kandidatët e VV-së garojnë si të pavarur në listën zgjedhore, por sipas Gocit, qendra e këtij subjekti është aktive në Shqipëri qe disa vjet, përmes aksioneve politike.

Një i tillë u organizua në Thirrë të Mirditës, kundër hidrocentraleve, e ku u arrestuan 19 persona. /KlanKosova