Kosova

Mbi tetë mijë automjete kalojnë kufirin me Shqipërinë, në 24 orët e fundit

Për dy ditë në pikën kufitare të Vërmicës u regjistruan mbi 15 mijë automjete me udhëtarë që zgjodhën të kalojnë ditët e pushimit në Shqipëri, përcjell albinfo.ch.

Qytetarët thonë se arsyeja kryesore janë masat e reja të vëna nga Qeveria e Kosovës, e që nuk u pëlqyen atyre.

Vazhdon të jetë i lartë fluksi i udhëtarëve nga Kosova në drejtim të Shqipërisë në pikën kufitare të Vërmicës.

Udhëtarët nuk e fshehin arsyen e rrugëtimit për në territorin e Shqipërisë këto ditë pushimi, pavarësisht numrit të lartë të infektimeve me koronavirus.

“Na kanë mbyll në Kosovë, po dalim andej pak”, tha një qytetar për RTK-në.

“Albin Kurti na i ka mshel krejt lokalet, po shkojmë në Shqipëri me pi kafe”, tha një qytetar tjetër.

Në orët e paradites së ditës së shtunë në pikën kufitare të Vërmicës u regjistruan tetë mijë vetura, ndërsa për dy ditët e kaluara kjo shifër i kalon 15 mijë automjete motorike që bën kolona kilometërshe.