Financa

10 miliarderët e botës, shifra dhe fakte

Jeff Bezos është njeriu më i pasur në botë për të katërtin vit me radhë, me një pasuri prej 177 miliardë dollarësh

Ka qenë një vit si asnjë tjetër. Numri i miliarderëve në klasifikimin e 35-të vjetor të Forbes, të njerëzve më të pasur në botë (World’s Billionaires List) është rritur në një shifër të paprecedentë: 2.755, 660 më shumë krahasuar me një vit më parë. Në total, shuma e pasurisë së tyre është 13.1 trilionë dollarë: 8 trilionë më shumë se totali i klasifikimit të vitit 2020.

Në klasifikimin e vitit 2021 janë 493 emra të rinj, një tjetër rekord, kjo do të thotë një miliarder i ri çdo 17 orë. Ndër ta, 210 janë nga Kina apo Hong-Kongu; 98 nga SHBA. Hyrja e re, më lart në klasifikim, me 38.2 miliardë dollarë, është Miriam Adelson, nga Nevada, e cila ka trashëguar perandorinë e kazinove të të shoqit, Sheldon Adelson, i cili vdiq në janar.

Hyrje të tjera të reja të rëndësishme përmendim producentin e filmave dhe programeve televizive Tyler Perry; bashkëthemelueses së aplikacionit të takimeve Bumble, Whitney Wolfe Herd (miliarderja më e re self-made në botë) dhe europianit Guillaume Pousaz, themelues i shoqërisë së pagesave Checkout.com.

250 persona të tjerë që kishin dalë nga klasifikimi në të shkuarën janë rishfaqur. Është e mahnitshme kur vëren se, duke marrë të gjitha gjërat në konsideratë, 86% e miliarderëve janë më të pasur se një vit më pare, transmeton Monitor, përcjell albinfo.ch.

Jeff Bezos është njeriu më i pasur në botë për të katërtin vit me radhë, me një pasuri prej 177 miliardë dollarësh – 64 miliardë më shumë krahasuar me vitin e kaluar, falë rritjes së aksioneve të Amazon.

Elon Musk, ai i cili ka fituar më shumë para në 12 muajt e fundit, renditet i dyti, pasuria e të cilit është 151 miliardë dollarë. Rritje e pasurisë prej 126.4 miliardë dollarësh është mbresëlënëse krahasuar me një vit më parë kur renditej në vendin e 31-të, pasuria e të cilit ishte 24.6 miliardë dollarë. Arsyeja kryesore është rritja me 705% e vlerës së aksioneve të Tesla-s.

Manjati francez i luksit, Bernard Arnault, qëndron në vendin e tretë, por pasuria e tij është thuajse dyfishuar, nga 76 miliardë në 150 miliardë dollarë. Kjo falë të rritjes me 86% të aksioneve të Lvmh, që zotëron marka si Louis Vuitton dhe Christian Dior, përveç shumëkombëshes së parfumeve Sephora.

Totali i pasurisë së dhjetë personave më të pasur arrin në 1.15 trilionë dollarë, ose dy të tretat më shumë se 686 miliardë vitin e shkuar. Në total, miliarderët europianë kanë fituar 1 trilion dollarë në vitin e fundit.

Në vitin 2021, katër persona zotërojnë një pasuri të barabartë ose më të madhe se 100 miliardë dollarë. Vitin e kaluar ishte vetëm një – Jeff Bezos. Përveç Bezos, Musk dhe Arnault është edhe Bill Gates, i cili renditet i katërti, me 124 miliardë dollarë. Kjo falë forcës së aksioneve që zotëron në Microsof, Hekurudhën Kombëtare në Kanada dhe në agjencinë e traktorëve Deere & company.

Top 5 mbyllet me themeluesin e Facebook, Mark Zuckerberg, me 97 miliardë dollarë. Edhe pasuria e tij shënoi një rritje befasuese: 42,3 miliardë në një vit. Aksionet e Facebook u rritën me 80% në 12 muajt e fundit, edhe pse shumë njerëz në të gjithë botën përdorën platformat e tij sociale për të mbajtur kontaktet me të tjerët gjatë pandemisë.

Warren Buffett është njeriu i gjashtë më i pasur në botë, pasuria e të cilit është 96 miliardë dollarë. Është hera e parë që nga viti 1993 që investitori i nderuar, i cili drejton Berkshire Hathaway nuk shfaqet ndër pesë të parët. Megjithatë, për 90-vjeçarin Oracle of Omaha (nofka e tij) viti nuk ka qenë i keq – pasuria e tij është rritur me 28.5 miliardë dollarë krahasuar me një vit më parë.

 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi me numrin më të lartë të miliarderëve, 724 (në rritje krahasuar me 614 një vit më parë), por Kina po ngushton hendekun me 698 miliarderë (duke përfshirë edhe 71 persona nga Hong-Kongu dhe 1 nga Makao). Në vitin 2020, numri i miliarderëve në Kinë ishte 614 kundrejt 456 krahasuar me 2019 (duke përfshirë 66 nga Hong-Kongu dhe 1 nga Makao).

India është e treta për numrin e miliarderëve, me 140. Totali i pasurisë së 1.149 miliarderëve të Azi Paqësorit arrin në 4.700 miliardë dollarë, ndërsa pasuria e miliarderëve amerikanë, në 4.400 miliardë.

1.975 miliarderë – një rekord – janë self-made. Vitin e kaluar ishin 1.457, gjë që do të thotë se numri i tyre në lidhje me totalin e miliarderëve është rritur nga 70% në 2020 në 72% këtë vit. Bëhet fjalë për një rritje të dukshme krahasuar me vitin 2001, kur 49% e 565 miliarderëve ishte self-made. Forbes përdor termin “self – made ” në kontrast me “të trashëguar” (inherited) dhe “të trashëguar dhe në rritje” (inherited & growing). Kjo nuk do të thotë që dikush ka krijuar një pasuri miliardëshe pa ndihmën e askujt. Për të arritur këtë, nevojitet punë skuadre.

105 persona në klasifikim janë nën 40 vjeç. Dy të tretat e tyre janë self-made. Miliarderi më i ri në moshë, në mesin e miliarderëve të rinj self-made është 26-vjeçari amerikan, Austin Russell, i cili ndërpreu studimet në Universitetin e Stanford për të krijuar kompaninë e sensosëve për automjete, Luminar Technologies. Pasuria e Russel është 2.4 miliardë dollarë dhe renditet në vendin e 1299 në klasifikim.

Më i riu në mesin e miliarderëve është një emër i ri: 18-vjeçari gjerman, Kevin David Lehmann, i cili ka marrë nga i ati, Günther Lehmann, kuotën e zinxhirit drugstore dm-drogerie mkt. Pasuria e tij është 3.3 miliardë dollarë dhe renditet në vendin e 925-të në klasifikim. Në ekstremin tjetër, miliarderi më i madh në moshë është manjati amerikan i shoqërisë së siguracioneve, George Joseph, 99 vjeç.

Sipërmarrësi Mukesh Ambani është bërë njeriu më i pasur në Azi. Ai renditet i dhjeti në klasifikim, me një pasuri prej 84.6 miliardë dollarësh. Ambani lë pas Jack Ma, njeriu më i pasur në kontinent një vit më parë, i cili ka zbritur nga pozicioni i 17-të në të 26-in, pavarësisht se pasuria e tij është rritur me thuajse 10 miliardë, në 48.4 miliardë dollarë.

Njeriu, pasuria e të cilit është rritur më shumë në termat e përqindjes është kinezi Zhong Shanshan. Ai e kuotoi kompaninë e tij të ujit në shishe, Nongfu Sprind në Bursën e Hong Kongut, në vjeshtë, dhe aksionet u rritën, duke e çuar pasurinë e tij në 68.9 miliardë dollarë. Kjo është një rritje me 3.345% krahasuar me 2 miliardë një vit më parë.

61 persona të shfaqur në klasifikimin e 2020 kanë dalë këtë vit. Bëhet fjalë për numrin më të ulët në dekadën e fundit. Ndër ata që nuk janë më pjesë e klasifikimit përmendim sipërmarrësen e make-up Kylie Jenner (pjesëtare e familjes Kardashian) dhe guvernatorin e West Virginia, Jim Justice.

Nga mesi i marsit të 2020 kanë vdekur 23 miliarderë. Ndër ta zvicerani Benjamin de Rothschild, trashëgimtar i familjes historike të bankierëve; manjati brazilian i baking Joseph Safra dhe ai i kazinove, Sheldon Adelson.

Më 27 mars, pasi Forbes kishte mbyllur klasifikimin e 2021, miliarderi çek, Petr Kellner vdiq në një aksident me helikopter në Alaska. Pasuria e tij prej 17.5 miliardë dollarësh, që me shumë gjasa do t’i kalojë gruas dhe fëmijëve, përfshihet në llogaritjet tona.

Forbes përdori çmimin e aksioneve më 5 Mars dhe kurset e këmbimit për të llogaritur pasuritë e miliarderëve (për listën e vitit të kaluar, ato u bënë më 18 Mars, 2020).

10 njerëzit më të pasur në botë

#1 | Jeff Bezos

Pasuria: 177 miliardë dollarë

Burimi i pasurisë: Amazon

Selia: Seattle

#2 | Elon Musk

Pasuria: 151 miliardë dollarë

Burimi i pasurisë: Tesla, SpaceX

Selia: Austin, Teksas

#3 | Bernard Arnault

Pasuria: 150 miliardë dollarë

Burimi i pasurisë: mallra luksoze

Selia: Paris

#4 | Bill Gates

Pasuria: 124 miliardë dollarë

Burimi i pasurisë: Microsoft

Selia: Medina, Uashington

#5 | Mark Zuckerberg

Pasuria: 97 miliardë dollarë

Burimi i pasurisë: Facebook

Selia: Palo Alto, Kaliforni

#6 | Warren Buffett

Pasuria: 96 miliardë dollarë

Burimi i pasurisë: Berkshire Hathaway

Selia: Omaha, Nebraska

#7 | Larry Ellison

Pasuria: 93 miliardë dollarë

Burimi i pasurisë: software

Selia: Lanai, Hawaii

#8 | Larry Page

Pasuria: 91,5 miliardë dollarë

Burimi i pasurisë: Google

Selia: Palo Alto, Kaliforni

#9 | Sergey Brin

Pasuria: 89 miliardë dollarë

Burimi i pasurisë: Google

Selia: Los Altos, Kaliforni

#10 | Mukesh Ambani

Pasuria: 84,5 miliardë dollarë

Burimi i pasurisë: Të ndryshme

Selia: Mumbai, Indi