Kosova

SHBA u bën thirrje deputetëve të sigurojnë kuorumin në votimin e presidentit

Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje deputetëve që të përmbushin përgjegjësitë e tyre ndaj popullit të Kosovës, duke marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit, për të siguruar kuorumin.

“Pozicioni i qeverisë amerikane mbetet i pandryshuar. Ne mbështesim votimin në Kuvend. U bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të përmbushin përgjegjësitë e tyre ndaj popullit të Kosovës, duke marrë pjesë në votim për të siguruar një kuorum”, thuhet në një postim në Twitter të ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

Në Kuvendin e Kosovës pritet të nisë seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, përcjell Albinfo.ch.

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për postin e presidentit është Vjosa Osmani, e cila në këtë garë për kundërkandidat do të ketë Nasuf Bejtën.

Që prej 5 nëntorit 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Si zgjidhet presidenti?

Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota të deputetëve.

Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Pro votimit të Osmanit janë deklaruar komunitetet joserbe, ndërsa partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë shprehur kundër. Lista Serbe nuk është deklaruar.

Ish-partia e Osmanit, Lidhja Demokratike e Kosovës, që është në opozitë, gjatë kësaj jave ka thënë se do të marrë pjesë në votimin e presidentit.

Megjithatë, ende nuk është e qartë se si do të veprojnë deputetët e LDK-së, pavarësisht vendimit të kryesisë së kësaj partie që të mos bëjnë pengesa në zgjedhjen e presidentit.

Përplasjet për propozimin e ndryshimit të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme

Gjatë ditës së premte dhe të shtune kishte përplasje mes partisë në pushtet dhe atyre opozitare, pasi Qeveria e Kosovës procedoi në Kuvend shqyrtimin e ndryshimeve të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Kuvendi u mblodh të premten në mbrëmje në një seancë, mirëpo kërkesa që shqyrtimi i tij të bëhet me procedurë të përshpejtuar nuk kaloi, pasi opozita votoi kundër.

Ndryshimet e ligjit do t’i mundësonin diasporës të votojë në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës nëpër botë.

Por, të shtunën, ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Glauk Konjufca, përmes një deklarate për media tha se ka marrë garancën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kandidatës së Vetëvetëndosjes për presidente të Kosovës, Vjosa Osmani se “gjithçka që ka të bëjë me Ligjin për zgjedhjet, do të jetë pjesë e një procesi të ardhshëm dialogimi mes mazhorancës dhe opozitës dhe se bashkë do ta bëjmë dhe përmbyllim reformën zgjedhore”.

Ndryshe, LVV-ja ka 58 ulëse në kuvend, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 15. Partia Demokratike e Kosovës ka 19 deputetë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka tetë deputetë. Nga komunitetet, Lista Serbe, në zgjedhje i ka fituar dhjetë ulëset e garantuara; dy ulëse i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse kanë fituar partitë boshnjake Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Unioni Socialdemokrat, sikurse edhe Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.