Kosova

Merkel përgëzon Kurtin dhe e siguron për mbështetjen nga Gjermania

Ajo i ka uruar Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti suksese në fushat që përbëjnë çelësin e konkretizimit të perspektivës evropiane të Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë telegram urimi nga Kancelarja Federale e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel, me rastin e rizgjedhjes së tij Kryeministër i Republikës së Kosovës.

Kancelarja Merkel në telegramin e saj ka thënë veç tjerash se në përballje me detyrat sfiduese, Qeveria e Kosovës dhe vetë Kosova mund të llogarisin në mbështetjen dhe partneritetin e Gjermanisë.

Në telegramin e urimit, Kancelarja Merkel ka vënë theksin te angazhimi lidhur pandeminë COVID-19 dhe synimet e qeverisë së re për reformat në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ajo ka përmendur si çështje edhe dialogun me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Kancelarja Merkel i ka uruar Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti shumë suksese në fushat që përbëjnë çelësin e konkretizimit të perspektivës evropiane të Kosovës.