Kosova

Katër të arrestuar për keqpërdorime në Telekom, njëri këshilltar i Selimit e tjetri i Veliut

Katër persona janë arrestuar të martën lidhur me keqpërdorime në Telekom. Dy prej tyre ishin këshilltarë të ish-minstrave Selim Selimi e Agim Veliu.

Bëhet fjalë për ish-zyrtarët Trim Musliu dhe Armend Osaj. Musliu ishte edhe këshilltar i Selimit. Sipas burimeve në Prokurori, ata dyshohen për keqpërdorim të një kontrate të marketingut.

Burimet kanë konfirmuar edhe arrestimin e Denis Ceman, i cili ishte këshilltar i ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu. Ndërkaq personi i katër është Kreshnik Musliu, vëllai i Trim Musliut.

Rastin për KOHËN e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. “Sot, më 30 mars 2021, Policia e Kosovës, me urdhëresë të Gjykatës kompetente ka realizuar një operacion policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar, mbi dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës, ku pas kompletimit të rastit do të jepen informacione shtesë”, thuhet në përgjigjen e Policisë.