Lajme

Vaksinat Pfizer-BioNtech dhe Moderna, mjaft të efektshme

Vaksinat për COVID-19 të krijuara nga kompanitë Pfizer – BioNTech dhe Moderna e ulin rrezikun e infektimit me 80% dy javë ose më shumë pas dozës së parë, sipas të dhënave të një studimi të publikuar të hënën me rreth 4 mijë persona të vaksinuar që punojnë në kujdesin shëndetësor ose në vijën e parë të përpjekjeve kundër koronavirusit.

Rreziku i infeksionit ra me 90% dy javë pas dozës së dytë, thuhet në studimin që vlerëson në praktikë efikasitetin e vaksinave.

Studimi i kryer nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) përpiqet të përcaktojë aftësinë e vaksinave për mbrojtjen kundër infeksionit, përfshirë infeksionet që nuk shkaktojnë simptoma.

Provat e mëparshme klinike nga ana kompanive vlerësonin efikasitetin e vaksinave të tyre për parandalimin e sëmundjes.

“Ky studim tregon se përpjekjet tona kombëtare të vaksinimit po funksionojnë”, tha drejtoresha e CDC, Rochelle Walensky, në një deklaratë.

Gjetjet nga përdorimi në praktikë i këtyre vaksinave që funksionojnë me metodën gjenetike të ARN-së konfirmojnë atë që u vu re në provat e kontrolluara klinike të kryera para se ato të merrnin autorizimin për përdorim emergjent nga Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave.

Studimi shqyrtoi efektivitetin e vaksinave midis 3,950 pjesëmarrësve në gjashtë shtete gjatë një periudhe 13-javore, nga 14 dhjetori 2020 deri më 13 mars 2021.

Teknologjia e re e “lajmëruesit ARN” përdor një element kimik natyror që “udhëzon” qelizat të krijojnë proteina të cilat janë kopje e një pjese të koronavirusit. Kjo e mëson sistemin imunitar të njohë dhe të sulmojë virusin e vërtetë./Voa