Lajme

Pfizer së shpejti del me ilaq oral kundër Covid-19

Kompania farmaceutike “Pfizer” ka filluar testimin klinik të një ilaçi oral antiviral kundër koronavirusit.

Faza e parë e testimit është ndërmarrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërkaq në pyetje është një lloj i ilaçit që vepron duke e penguar enzimën që i duhet virusit për t’u shumëfishuar në qelizat njerëzore.

Shefi për hulumtime shkencore në “Pfizer”, Mikael Dolsten, ka thënë se për ndaljen e pandemisë kërkohet parandalim me anë të vaksinimit dhe trajtimit të shënjestruar të atyre që preken nga virusi.

Duke marrë parasysh se virusi SARS-Cov-2 pëson mutacion, Dolsen ka thënë se është konstatuar nevoja për opsione trajtuese shtesë, si tani ashtu edhe pas pandemisë. Pas zhvillimit të vaksinës së parë të miratuar kundër COVID-19, kompania planifikon që ta zhvillojë teknologjinë mARN, në mënyrë që të prodhojë vaksina edhe kundër viruseve të tjera.

Kjo teknologji ua lejon kompanive farmaceutike shqyrtimin e përdorimit të metodës që është zbatuar në rrafshe të tjera mjekësore, pos vaksinave.