Gjuha

Mërgimtari nga Zvicra që “rrëmbeu” çmimin e madh letrar në Kosovë

Shkumbin Gashi: “Çmimi “Rexhai Surroi” për letërsi ishte një lloj prove për fortësinë e njeriut dhe një lloj prekje në shpatulla, si aprovim për persiatjet e mia për të shkruar”

Nga fundi i vitit që lamë pas, ceremonia e ndarjes së çmimit letrar “Rexhai Surroi” të Grupit Koha solli një befasi. Ky çmim ju nda një autori të ri, Shkumbin Gashit për romanin e tij “Nënë, më rrëfe për ëndërrimtarët” ndërsa befasia ka të bëjë me faktin se ky çmim i ishte ndarë më parë autorëve të afirmuar, si: Ismail Kadare, Mira Meksi, Agron Tufa, Zija Çela etj. Fakti që laureati më i ri është pjesë e diasporës, jeton në Zvicër ishte një shtysë më shumë për t`i bërë atij një prezantim më të gjerë në revistë tonë.

Shkumbin Gashi në intervistën për albinfo.ch flet për befasinë dhe nderimin që i ka sjellë çmimi i përmendur, për ndërthurjen e profesionit të tij prej psikologu me vokacionin e tij prej shkrimtari, për rrymat letrare, Zvicrën, mërgimin etj.

Albinfo.ch: Ju keni marrë shpërblimin “Rexhai Surroi” për romanin tuaj të ri “Nënë, më fol për ëndërrimtarët”. Me çfarë ndjenje e keni pritur këtë çmim. Ka qenë befasi për ju? Kjo për faktin se këtë çmim deri më tani e kanë marrë një numër i konsiderueshëm krijuesish të shquar ndërsa ju jeni vetëm 30 vjeç…

Shkumbin Gashi: Thënë të drejtën, u befasova. Pikërisht duke e ditur peshën e çmimit dhe figurave që e kanë fituar, nuk e sillja ndër mend se një shkrimtar në fillet e karrierës së tij, mund ta fitonte këtë shpërblim e këtë vlerësim. Në anën tjetër, ky viti 2020 dukej se ishte vit i djallit. Një vit i mbrapshtë, siç do thoshte Kadareja. Vit ku të jepej përshtypja se vetëm mbijetesa ishte e rëndësishme. Ëndrrat e pjesa fine e jetës duhej të vendoseshin në një “pushim”. Por, ja që njeriu është më i fortë se sfidat e gjithmonë gjen një formë për të mbajtur në jetë shpirtëroren. Së pari, ky çmim kishte këtë peshë për mua. Një lloj prove për fortësinë e njeriut. Së dyti, ka qenë një lloj prekje në shpatulla, si aprovim për persiatjet e mia për të shkruar. Një nder i madh, me të vërtetë!

Albinfo.ch: Gjithë romanin tuaj, i cili përbëhet nga katër rrëfime/novela, e lidh si një fill i artë, motivi i mërgimit dhe i mbijetesës së shpirtit në mërgim. A ka ndikuar jeta juaj (ndonëse e vonshme) prej emigranti që të asimiloni përvoja nga jeta në mërgim aq sa t`i ktheni ato në fakte letrare?

Shkumbin Gashi: Besoj se pyetja më e vështirë që mund t`i bëhet një shkrimtari është pikërisht kjo. Sa nga ajo që keni shkruar, përfaqëson diçka tuajen? Pjesë personaliteti, karakteri a përvoje. E kam menduar shpesh këtë gjë. Por e kam një përgjigje të cunguar. Besoj fort që po të mos kisha imigruar në Zvicër, me gjasë ky krijim letrar nuk do vinte në jetë. Këtë e kam të qartë si ndërlidhje. Ndoshta ka qenë edhe një lloj përpjekje analitike për të kuptuar jetën që do nisja në një shtet që e kisha të njohur vetëm nga harta, dhe si “toka e djathit të mirë”, siç thotë edhe karakteri i parë i romanit, Ibrahimi. Besoj që kur ne jemi në situata të reja, të panjohura, pa lejen tonë, e pavetëdijshmja kërkon përgjigje përmes një diskutimi me vetveten.

Albinfo.ch: Çfarë i lidh, sipas jush, këto katër personazhe, përveç faktit se janë migrantë?

Shkumbin Gashi: Edhe pse mund të duket në shikim të parë se pika puthëse në mes të personazheve është migrimi, në fakt gjatë leximit vërehet se kjo pikë është vetëm një nga urat lidhëse. Kjo është lidhja situacionale. Por ka më shumë se kaq. Se kam bindjen se ndonjëherë jepet përshtypja se “migranti” është një lloj njeriu tjetër. Dikush me nevoja krejt tjera. Por nuk është ashtu. Personazhet e mia janë migrantë, por aty, sidomos gjatë ndërveprimeve të tyre, vërehet e përbashkëta-emocionaliteti. Ajo që i lidh personazhet me njëri tjetrin është pikërisht “njerëzorja”, përjetimi i emocioneve, të qenët aty për tjetrin kur ka nevojë, e kjo aftësia e njeriut për të qenë afër tjetrit, edhe kur tjetri është i huaj. Për të ndarë të mirën dhe të keqën. Njeri mbetet i butë, i dashur prej natyrës, përkundër përjetimeve (duke përjashtuar aty këtu ndonjë anomali).

Albinfo.ch: Ju jeni psikolog për nga profesioni. Njohja juaj e thellë e psikologjisë, sidomos e asaj të njeriut të huaj në një shoqëri të re, përvijohet përgjatë gjithë romanit. Sa e ka ndihmuar në këtë rast kjo njohje letërsinë që krijoni dhe anasjelltas, sa ndihmon letërsia në punën prej studiuesi të psikës njerëzore?

Shkumbin Gashi: Procesin e shkrimit dhe psikologjinë si disiplinë, në rastin tim, e shoh si një lidhje rastësore, por që edhe pse e tillë, është si një lloj simbioze në harmoni të përsosur. Njëfarë martese, jete e përbashkët, ku të dyja, mbijetojnë nga ushqimi që marrin nga pala tjetër. Kur shkruaj, e kam psikologjinë si një lloj çante shpine, me plot mjete pune që më ndihmojnë të krijoj personazhe reale. Kur jam duke punuar, më ndihmon kjo perspektiva që e fitoj kur kam shkruar për një personazh, për ta parë me një sy tjetër emocionin. Me një sy kritik- një lloj proteste “ka gjithmonë diçka më shumë se teoria”. Do ta kisha të pamundur të krijoja një hierarki, se cila qëndron më lart për nga pesha, por këtu qëndron magjia. Secila pjesë ka peshën e duhur, në momentin e duhur.

Albinfo.ch: Agroni, njëri nga katër protagonistët e romanit tuaj vjen në Zvicër i detyruar nga një motiv shumë specifik, që është frika nga gjakmarrja. Jeni marrë me temën e gjakmarrjes aq sa të ju shërbejë si shtysë për të krijuar një personazh të tillë?

Shkumbin Gashi: E mbaj mend një ligjëratë, gjatë studimeve bazike. Flisnim e diskutonim me profesorin pikërisht për këtë “plagë të hapur” të shoqërisë tonë. Aty mbaj mend se isha fort kurioz të dija më shumë. Unë përvojë personale me diç të tillë nuk kam pasur, por si dukuri më ka intriguar shumë. Kam lexuar për kanunin, për burrneshat, për fëmijët e ngujuar. E shihja dhe vazhdoj ta shoh si një botë që edhe pse duket shumë e largët, në fakt ka qenë gjithmonë te pragu i shpisë, si një gjarpër me zile. Kjo gjë më ka frikësuar gjithmonë. Unë ndjej keqardhje për ata fëmijë që janë ngujuar, nuk kanë arritur të shkollohen, nuk kanë pasur fëmijëri normale, se mendoj se u bëhet fort e padrejtë. Disi e ndjej një lloj detyrimi të flas për këtë temë, kurdo që më jepet mundësia. Fatkeqësisht e kishim vetëm një profesor Anton Çeta. Por, fatmirësisht, profesori i nderuar, na e ka lënë trashëgimi filozofinë e frymën e pajtimit, si një lloj lufte ndaj kësaj dukurie. Disi duhet ta kanalizojmë. Secili në mundësitë e veta. Këtu e shoh unë njëfarë kontributi modest të veprës sime. Një lloj thirrje “hapni sytë…shikoni se çka i bëni njeriut!”

Albinfo.ch: Nëse do të flisnim me terma të teorisë dhe drejtimeve a shkollave letrare, ku do ta vendosnit veten, gjegjësisht letërsinë që krijoni?

Shkumbin Gashi: Kam përshtypjen se letërsia e krijimitaria ime modeste, në stadin momental, fle nën jorganin e letërsisë romantike të shekullit 19, gjithmonë e kontekstualizuar në shekullin 21. Frymon te trungu i inspirimit, aty diku te Naim Frashëri, Jeronim de Rada e Anton Santori.  Anipse, pjesa e çlirimit nga pushtuesi nuk është pjesë e romanit tim, edhe nëse është, zë vend kalimtar, janë pastaj, pjesët e ruajtjes së identitetit, drama shpirtërore, që e karakterizojnë shkrimin tim. Unë mëtoj që njeriun e zakonshëm ta ngre në stadin e heroit, atij heroit që nuk ka nevojë për kapele, por që e do jetën e provon të marrë më të mirën nga ajo. Dhe kjo  frymë ndoshta ka qenë edhe një ndër dhuratat më të mëdha që letërsia romantike na ka dhënë si shoqëri. Këtu e shoh edhe pikëtakimin tim me letërsinë romantike.

Albinfo.ch: Sigurisht i ndiqni dhe i keni të njohura rrjedhat e letërsisë që krijohet aktualisht ndër shqiptarët. Çfarë mendoni se e karakterizon këtë letërsi, me pak fjalë? Respektivisht, çfarë kahesh e tendencash shihni në letërsinë më të re shqiptare?

Shkumbin Gashi: Unë provoj, me aq sa kam mundësi e kohë, të lexoj shumë edhe shkrimtarët e rinj. Së pari, dua të them se kemi me të vërtetë arsye për të pasur shpresë për të ardhmen. Kemi shumë krijues të guximshëm. Ajo që besoj se e karakterizon shkrimtarin e ri, ta zëmë, atë të pas luftës (99), është pikërisht hapja ndaj shumëllojshmërisë së zhanrit, të stilit e të shkollës letrare. Problemet moderne kërkojnë zgjidhje moderne, është ajo fjala e famshme. E këtu e shoh shkrimtarin e ri që përballet me sfidat moderne, se kjo kërkon edhe eksplorim e guxim për të krijuar diç të re, diç të përshtatshme për vendin e kohën. Kjo, më shumë se zgjedhje personale, është një kërkesë e kohës moderne, për të qenë relevant.

Albinfo.ch: Është thënë e përsëritur shpesh se klima për krijim, sidomos në vendet ku jetojnë shqiptarët, nuk ka qenë mbase kurrë më demotivuese se që është në këto vite. Por ju dhe shumë të tjerë, megjithatë krijoni dhe, shpesh, na ofroni gjëra me vlerë për t`i lexuar. Ku e gjeni motivin, vullnetin për të shkruar?

Shkumbin Gashi: Shprehja “duhet të jesh i palumtur që të krijosh vepra cilësore letrare”, më irriton shumë, se edhe  trumpetohet shpesh. Nuk besoj që ka një gjendje të vetme shpirtërore a sociale që krijon kushtet e përsosura për të krijuar. Secila gjendje, secila situatë, ushqen shkrimtarin me material për të shkruar. Mos të harrojmë që shkrimtari modern, nuk është vetëm shkrimtar me trajtim për lexuesin vendas, përkundrazi, është shkrimtar global. Ka më shumë sy se kurrë që mund ta lexojnë. Sot, problemet e një amerikani dhe një shqiptari janë më të përafërta, se problemet e një shqiptari dhe një amerikani të shekullit 18. Provë e kësaj që po them- pandemia COVID-19. Andaj vullnetin për të shkruar e gjej në atë që ndodh, këtu, në Kosovë, në Kinë, në gjithësi. Gjithçka është material.

Albinfo.ch: Na flisni pak edhe rreth jetës suaj në Zvicër, punës në profesionin që keni dhe në përgjithësi për atmosferën që karakterizon “mërgimin” tuaj.

Shkumbin Gashi: Unë jetoj në Zvicër, tash e 3 vite e gjysmë. Jetoj me bashkëshorten time, Qëndresën. Psikologjia është profesioni im, e jam duke vazhduar studimet e doktoratës në Universitetin e Bernës, për psikologji klinike dhe psikoterapi. Njëkohësisht, jam asistent shkencor në Universitetin e shkencave të aplikuara, po ashtu në Bernë. Duke qenë se në Zvicër, një ndër temat më aktuale, një nga ato “patatet e ngrohta” është mosha e shtyrë, angazhimi im në profesion është pikërisht në këtë fushë. Me terma profesional kjo gjë quhet gerantopsikologji. Qëllimi im, është të krijoj një model që shpjegon faktorët që ndikojnë angazhimin social të të moshuarve. Eventualisht, mendoj  dhe e kam dëshirë që këtë përvojë ta përcjell edhe në Kosovë. Kontributi im në Kosovë, është më shumë një ëndërr, por ku i dihet. Ndoshta edhe krijohet mundësia. Letërsia më ka mësuar se ëndërrimi është hapi i parë drejt realizimit të një qëllimi.

Po të mos vija në Zvicër, nuk do të lindte ky roman

“Besoj fort që po të mos kisha imigruar në Zvicër, me gjasë ky krijim letrar nuk do vinte në jetë. Këtë e kam të qartë si ndërlidhje. Ndoshta ka qenë edhe një lloj përpjekje analitike për të kuptuar jetën që do nisja në një shtet që e kisha të njohur vetëm nga harta, dhe si “toka e djathit të mirë”, siç thotë edhe karakteri i parë i romanit, Ibrahimi”.

Pak biografi

Shkumbin Gashi prej afër katër vitesh jeton në Zvicër, me bashkëshorten e tij, Qëndresën. Psikologjia është profesioni i tij. Ai është duke vazhduar studimet e doktoratës në Universitetin e Bernës, për psikologji klinike dhe psikoterapi. Njëkohësisht është asistent shkencor në Universitetin e shkencave të aplikuara, po ashtu në Bernë. Angazhimi i tij i ngushtë në profesion është gerantopsikologjia.