Lajme

UNICEF: 10 milionë martesa të fëmijëve, në dekadën e ardhshme

Fondi për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara (UNICEF) ka thënë se vështirësitë e shkaktuara nga kriza e koronavirusit mund të rezultojnë me 10 milionë martesa të fëmijëve në dekadën e ardhshme, përcjell albinfo.ch.

Në një studim të publikuar më 8 mars, UNICEF ka thënë se “mbyllja e shkollave, stresi ekonomik, ndaljet e shërbimeve, shtatzënitë dhe vdekjet e prindërve për shkak të pandemisë, janë duke përballur vajzat më të brishta me rrezik të martesës sa janë fëmijë”.

Në raportin e publikuar në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, të titulluar “COVID-19: Një kërcënim kundër martesave të fëmijëve”, është thënë se nëse trendi konfirmohet, do të përbënte një kthim serioz nga përparimi i arritur në vjetët e fundit në fushatën kundër martesave të fëmijëve.

Aty është thënë edhe se proporcioni i grave të reja, të martuara sa kanë qenë fëmijë, ka rënë nga gati 25 për qind, në rreth 20 për qind në 10 vjetët e fundit.

“Ky përparim tani po kërcënohet”, është thënë në studim.