Lajme
Cilat monumente shqiptare mund t’i vizitoni në Austri?
Krahas kështjellave, muzeve, galerive etj., në Austri mund të vizitojmë edhe monumente dhe vepra të figurave të shquara shqiptare. Albinfo.at sjell për ju disa prej tyre
Reliktet e heroit Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, në muzeun botëror të Vjenës (Weltmuseum)
Shqiptarët që dëshirojnë të vizitojnë Vjenën, zakonisht përcaktim të parë e kanë vizitën e relikteve të heroit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Ato janë pjesë e identitetit tonë kombëtar.
Sapo të prekësh sportelin e parë dhe pyet për përkrenaren e shpatën e Skënderbeut, e kuptojnë se kanë të bëjnë me shqiptarët. Pritja e ngrohtë e personelit të ofrohet që nga hapi i parë deri në të fundit. Fotografitë janë të lejuara, por pa ndriçim.
Reliktet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, të cilat gjenden në muzeun botëror (Welt Museum) në Vjenë vizitohen nga shqiptarët e gjithë botës. Po ashtu janë të shpeshta grupe vizitorësh nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora, veçanërisht arbëreshët nga Italia dhe Zara.
Reliktet e Skënderbeut në Vjenë janë vizituar edhe nga personalitete të shquara shqiptare dhe rilindës të njohur të kombit tonë. Vizitor i tyre ishte edhe poeti ynë i madh, Naim Frashëri, i cili e vizitoi në vitin 1877 në Belvederë të Vjenës, ku ruheshin atë kohë përkrenarja dhe shpata e kryeheroit tonë kombëtar. Ai frymëzohet dhe ia kushtoi këto vargje tani të njohura:
“Lum ti, moj Shqipëri!” thashë,
Armët e ti’ kur i pashë
Ndër Belvedere në Vjenë,
Sikur pashë Skënderbenë.”
Naim Frshëri
Karl Gega, gjeniu austriak me rrënjë shqiptare
Carl Ritter von Ghega (Karl Gega) u lind më 10 janar të vitit 1802 në Venedik nga prindërit me prejardhje shqiptare, ndërsa vdiq më 14 mars të vitit 1860 në Vjenë. Babai i tij kishte qenë një oficer marine, kurse Karli tregoi një dashuri të madhe për matematikë dhe u bë inxhinieri austriak, i cili e ndërtoi hekurudhën e Semeringut (Semmeringbahn), prej Gloggnitz deri në Mürzzuschlag. Kjo hekurudhë, e cila lidh Vjenën me Triesten dhe Detin Mesdhe, e cila kalon përmes Alpeve austriake, ka 15 tunele dhe 16 harkore madhështore (Viaduke Romake), disa prej të cilave janë dykatëshe dhe kanë 984 metra lartësi mbidetare.
Hekurudha e “Semeringut” është e para e ndërtuar në vise malore, në gjithë botën, që është kryevepër ndërtimore e Karl Gegës dhe e Austrisë në atë kohë.
Në moshën 17-vjeçar, Karl Gega e arrin titullin “Doktor i Shkencës së Matematikës”. Ai radhitet ndër “100 austriakët më të mëdhenj” në historinë e kombit austriak. Karl Gega bën pjesë në këtë grup krahas personaliteteve si: Mozart, Froid, Maria Tereza, Franz Josefi, Kafka etj.
Varri monumental i Karl Gegës gjendet në varrezat qendrore të Vjenës (Zentralfriedhof), aty ku prehen të qetë figurat më të ndritura të historisë austriake.
Për nder të veprës së Karl Gegës, në monedhën austriake “20 Schiling” ishte vendosur figura e tij. Po ashtu një pllakë përkujtimore mund ta gjeni edhe në qendrën e Vjenës, përkatësisht në qoshen e lokalit Zanoni & Zanoni në Rotenturmstrasse.
Ndërkohë në Vilach, një rrugë është emërtuar me emrin: Carl Ritter von Ghega – strasse.
Një tjetër detaj interesant është se tani pas 160 vjetësh nga vdekja e tij, firma shqiptare në Austri “IAT”(Injektions-und Abdichtungstechnik GmbH) e udhëhequr nga vëllezërit Miftaraj, prej afro pesë vketësh përkujdeset për mirëmbajtjen statike të harkoreve dhe izolimin e mbajtëseve kundër erozionit të dheut nën fondamentet e harkoreve të urave të hekurudhës Semering.
Aleksandër Moisiu, yll aktrimi i shekullit të kaluar
Aktori i madh me prejardhje shqiptare, Aleksandër Moisiu, u lind më 2 prill 1879 në Triestë, ndërsa vdiq më 22 mars 1935 në Vjenë. Ai mësoi në shkollën fillore në Durrës, studioi në Austro-Hungari, aktroi në qendrat teatrore evropiane. Është i varrosur në varrezat e komunës së Morcote-së, pranë qytetit Lugano në kantonin e Ticino, në Zvicër.
Ishte aktori më i njohur në hapësirat gjermanishtfolëse dhe yll botëror i aktrimit, kryesisht teatror. Në Durrës, shtëpia e tij ku jetoi ai, tani është muze. Emri i tij është i përkujtuar gjithandej trojeve shqiptare, por edhe në Austri.
Në pjesëzën danubiane të Vjenës, jo larg qendrës së OKB-së në Vjenë, përkatësisht në qarkun (Bezirk) e 22-të të Vjenës, gjendet rruga me emrin e tij, Moissigassse. Po në këtë rrugë është edhe shtatorja e Aleksandër Moisiut. Shtatorja i tij është punuar nga skulptori Kasim Kortusha, ndërsa është përuruar në vitin 2005, në 70 vjetorin e shuarjes së aktorit. Në përurimin e shtatores së Aleksandër Moisiut pati marrë pjesë edhe ish presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu dhe kryetarja e Bashkisë së qarkut 22 të Vjenës, Renate Winklbauer. Vizitorët e kanë lehtë të orientohen, nga qendra e Vjenës arrihet për 20 minuta.
Shtatorja e Shën Terezës në Grac
Graci i njohur si qytet i kulturës në Austri, dhjetë vjet më parë u pasurua edhe me shtatoren e Shën Terezës.
Autor i shtatores është skulptori vjenez, Ulrich Mertel. Falë angazhimit të Shoqatës “Nëna Tereze” të Gracit u siguruan mjetet dhe mundësia e vendosjes së saj në Annenstraße, “Straße der Menschenrechte”, të Bashkisë Gries, më 27 gusht 2010. Shtatorja është në përmasat e Shën Terezës, 163 centimetra e gjatë. Në bashkëpunim me organet kompetente të qytetit të Gracit u sigurua sheshi në të cilin u vendos shtatorja.
Vizitorët shqiptarë në Grac mund ta gjejnë dhe vizitojnë lehtësisht shtatoren e bukur të Shën Terezës”, alias Gonxhe Bojaxhiut.
E-Diaspora
-
Edi Rama sot takon diasporën në Londër Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të dielën do të mbajë tubim me diasporën shqiptare në Londër....
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
Jeta në Zvicër
-
Çfarë nisma të tjera votojnë kantonet dhe qytetet në Zvicër? Përpos propozimeve kombëtare, në shumë kantone dhe qytete të Zvicrës mbahet votim gjatë ditës së sotme....
-
Zvicra voton për katër propozime kombëtare sot
-
Qeveria federale bën thirrje për kujdes: Rrugët janë të rrëshqitshme
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?