Kosova
Kur do të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit
Tashmë rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë janë publikuar, por rezultatet përfundimtare dhe certifikimi i tyre mund të marrë të paktën edhe dy javë. Zyrtarisht, askush nuk jep datë të saktë, por bazuar në praktikat e deritanishme, procedurat nuk mund të përfundojnë në afat të shpejtë.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 janë dashur 52 ditë që të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve.
Por, në vitin 2017, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve janë shpallur 18 ditë pas mbajtjes së tyre. Edhe në ato zgjedhje kishte rinumërim të më se 500 kutive të votimit, por votat me postë nga diaspora kanë qenë në numër shumëfish më të ulët, krahasuar me zgjedhjet e këtij viti.
Edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte shpallur rezultatet përfundimtare më shpejt se në zgjedhjet e vitit 2019. KQZ-ja në këtë vit kishte shpallur rezultatet 16 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve.
Aktualisht, me votat e numëruara nga zgjedhjet e 14 shkurtit, 2021, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.85 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 17.41 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.08 për qind të votave, ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 7.43 për qind të votave.
Më shumë se 830 mijë persona kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Pse zgjat kaq shumë procesi?
Pas mbylljes së qendrave të votimit, komisionerët në vendvotime numërojnë votat për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë. Më pas, i tërë materiali zgjedhor dërgohet në Qendrën e Numërimit të Rezultateve (QNR), ku verifikohen të dhënat e dërguara nga qendrat e votimit. Në rast se ka mospërputhje në rezultatet e formularëve me votat në kuti ose ka dyshime për parregullsi, atëherë materialet vendosen në karantinë dhe më pas nis procesi i verifikimit. Këto janë procedura që marrin kohë. Zyrtarët kanë konfirmuar se nga zgjedhjet e 14 shkurtit, në karantinë janë vendosur 101 kuti votimi.
Pas sqarimit të paqartësive eventuale, atëherë nis procesi i verifikimit dhe numërimit të votave me kusht dhe të atyre të ardhura me postë nga diaspora. Edhe ky proces merr disa ditë kohë.
Procesi zgjat pasi, pas çdo vendimi, secila palë ka të drejtë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e më pas edhe në Gjykatën Supreme.
Por, kryesuesi i sekretariatit të PZAP-së, Mulë Deksu, tha për Radion Evropa e Lirë, se aktualisht në këtë institucion të pavarur është vetëm një ankesë.
Sa ka vota me kusht dhe vota nga diaspora?
Mbi 27.249 votues, e kanë shfrytëzuar të dielën e 14 shkurtit, të drejtën e votimit me kusht. Ky lloj votimi lejohet të kryhet në të gjitha qendrat e votimit, për personat që nuk e gjejnë veten në listë ose që votojnë jashtë komunave të tyre, por më pas KQZ-ja verifikon, për t’u siguruar që ata nuk kanë votuar dy herë ose që janë në listën përfundimtare të votuesve.
Numri i saktë i votave me postë është në verifikim e sipër, por në KQZ brenda afatit ligjor, që ishte deri më 12 shkurt 2021, kanë arritur numër rekord prej 43.447 pako me fletëvotime nga jashtë, e të cilat mund të përmbajnë më shumë se një votë.
Deri më 20 shkurt, KQZ-ja ka verifikuar 16 mijë e 800 zarfe me fletëvotime.
Prej tyre, 11 mijë e 800 janë miratur, derisa 4,950 janë refuzuar.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, këto zarfe janë refuzuar pasi disa prej tyre janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës, gjatë periudhës së aplikimit.
“Po ashtu, disa prej tyre janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit. Rastet e tjera të refuzuara kanë të bëjnë me faktin se ato janë dërguar nga votues të paidentifikuar, apo ka pasur votim grupor”, ka thënë Elezi në një konferencë për media.
Në listën e votuesve nga jashtë u ishin aprovuar kërkesat për votim më shumë se 103.000 shtetasve të Kosovës.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës