Lajme

Tiroli, zonë e kufizuar: 1.450 euro për shkelje të rregullave

Shteti austriak ka kufizuar udhëtimet në rajonin e Tirolit. Kjo për shkak të parandalimit të variantit të ri afrikano-jugor të koronavirusit.

Nga e premtja “Landi” i Tirolit do të kontrollohet nga policia austriake. Kushdo që largohet nga ky rajon, do të duhej të paraqesë testin negativ të Covid – 19, dhe atë jo më i vjetër se 48 orë.

Ministri i Brendshëm i Austrisë, Karl Nehammer, njoftoi se policia dhe forcat e armatosura do të kontrollojnë testet e koronës në kufijtë e “Landit” Tirol. Kjo rregullore do të mbetet në fuqi për dhjetë ditë.

“Rreth 1000 oficerë do të jenë në detyrë. Kushdo që nuk ndjek rregullat, do të gjobitet 1,450 euro”, ka thënë ministri Nehammer, raporton oe24.at, përcjell albinfo.at.

Rreth 300 persona në Tirol janë prekur nga mutacioni i ri i Covid – 19, i cili është më infektues se më i mëparshmi.