Kosova
Liri Loshi, (VV): “Do ta përfaqësoj diasporën me tërë koloritin e saj”
albinfo.ch ka kërkuar qëndrimin e disa kandidatëve nga partitë kryesore pjesëmarrës në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, më 14 shkurt. Me pyetje u jemi drejtuar: Liri Loshit (VV), Ajet Avdylit (LDK) dhe Haki Morinës (PDK)
Zgjedhjet në Kosovë janë në prag. Pjesëmarrja e mërgatës në to është më shumë se ndonjëherë më parë, temë dite, në diasporë dhe në Kosovë. albinfo.ch ka ndjekur aktivisht zhvillimet rreth këtyre zgjedhjeve duke pasqyruar atmosferën që mbretëron sidomos në mesin e bashkatdhetarëve jashtë vendit, në lidhje me to.
Në këtë vazhdë, albinfo.ch ka kërkuar qëndrimin e disa kandidatëve nga partitë kryesore pjesëmarrës në këto zgjedhje. Pyetjet tona ua kemi drejtuar: Liri Loshit (VV), Ajet Avdylit (LDK) dhe Haki Morinës (PDK). Loshi dhe Morina janë përgjigjur ndërsa përgjitgjet nga z. Avdyli, ( që i ka premtuar), ende jemi duke i pritur.
Në vazhdim, mund të lexoni intervistën me dr. Liri Loshin, kandidat nga Kanadaja i Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Albinfo.ch: Ju, prej tashmë 20 vitesh jetoni jashtë Kosovës, në Kanada. Keni qenë aktiv këto vitet e fundit, kryesisht në mediat sociale, si një zë kritik ndaj shumë parregullsive në politikën dhe shoqërinë kosovare e shqiptare në përgjithësi. Por nuk keni qenë anëtar i ndonjë partie. Prandaj, aderimi në Lëvizjen Vetëvendosje dhe kandidimi për deputet, erdhën disi befasishëm. A ka ndonjë shkas konkret që ju shtyri të merrni këtë hap?
Liri Loshi: Kandidimi rrodhi natyrshëm. Një mik imi në Facebook, aktivist i Vetëvendosjes më shkroi në inbox: “E sikur të propozoja unë ty kandidat për deputet nga diaspora, nga Qendra jonë në Londër?” “Do të bëhesha deputet” – ia ktheva. Pasi u sigurua se e mori pëlqimin tim, filloi procedurën. Pas pak ditësh kandidatura ime për deputet u zyrtarizua. Edhe pse ky kandidim ishte krejt i rastit, nuk është se nuk e kam menduar edhe më parë kalimin në politikë aktive, qoftë pse lexuesi im e kërkonte këtë, qoftë pse opinionet e mia në Facebook nuk mjaftonin për të bërë ndryshime. Të qenit kritik ndaj atyre që bëjnë politikë t’i mëson dy gjëra: një, që ta njohësh politikën dhe dy që të dish ta bësh atë në versionin e kritikës tënde, pra të çliruar nga të metat dhe gabimet që ti me kohë i ke identifikuar. Kjo bën që politikën ta pasurosh me idealizëm.
Albinfo.ch: Keni qenë gazetar, mjek, luftëtar. Janë (së paku) tri cilësi që karakterizojnë biografinë Tuaj. Ato sugjerojnë për një karakter jokonformist, kryengritës dhe kërkues, çfarë ju keni dëshmuar se jeni. A ekziston droja se hyrja në një parti dhe zgjedhja eventuale në parlament, mbase mund t`ua “disiplinojë” frymën jo konformiste që keni?
Liri Loshi: Shumë miq nga Vetëvendosja e pëlqejnë zërin tim autentik dhe e quajnë të domosdoshëm për Vetëvendosjen këtë zë timin ndryshe. Veprimi politik që ushqehet nga mendimi kritik përjashton mundësinë e konformizmit. Sidoqoftë, politika është kompromis, ashtu sikurse konkluzionet pas debateve politike janë njëfarë kompromisi. Pra, jo kompromis me të keqen, por kompromis me mendimet e të tjerëve për të realizuar së bashku projekte të përbashkëta. Në politikë, nëse vepron i vetmuar duhet te presh teshat pasi t’i kesh matur tri herë! Por, ka edhe një rrugë tjetër, pak më të shkurtër e kjo është konsultimi me të tjerët para se ta bësh veprimin politik. Nuk është cilësi e zakonshme gatishmëria për t’i dëgjuar të tjerët, por ne duhet të ushtrohemi ta bëjmë këtë që produkti i punës sonë t’iu pelqejë të tjerëve.
Albinfo.ch: Në kontekst të këtyre zgjedhjeve është bërë shumë fjalë dhe po vazhdon të bëhet, për diasporën. Ju jeni pjesë e kësaj diaspore dhe me mundësi të mira që të bëheni deputet i saj, përmes Vetëvendosjes. A e konsideroni veten në njëfarë mënyre përfaqësues të diasporës (edhe të partive tjera dhe atyre pa parti)?
Liri Loshi: Po, unë do ta përfaqësoj diasporën me tërë koloritin e saj politik, kulturor e rajonal. Janë dy gjera që mërgimtarin dhe atdheun i lidhin fort për njëri tjetrin. Këto janë: nevoja emocionale e mërgimtarit për atdheun dhe nevoja ekonomike e atdheut për mërgimtarin. Këto dy komponente më së paku kanë nevojë për ngjyrime politike.
Albinfo.ch: Si e konceptoni këtë përfaqësim të diasporës në parlament? Çfarë do të ju dallojë Ju nga një deputet tjetër “rezident”? Keni ndonjë ide më specifike për përfaqësimin e diasporës? Ku do të fokusoheni më shumë si deputet?
Liri Loshi: Roli im do të jetë i dyfishtë. Unë do ta përfaqësoj mërgimtarin me të gjitha nevojat dhe kërkesat e tij, por edhe atdheun me nevojat dhe kërkesat për mërgimtarin. Fokusi im do të jetë sundimi i rendit dhe ligjit deri atëherë kur arrijmë tek perceptimi i mërgimtarit se shteti ligjor është arritur. Sa më shpejt që të arrihet kjo ne do të shohim një valë të re dhe besoj të fuqishme të investimeve nga diaspora. Këto investime do të jenë një nxitje e fuqishme për zhvillimin e vendit dhe për krijimin e një baze ekonomike solide për qytetarin e Kosovës.
Albinfo.ch: Diaspora nga shumë njerëz në Kosovë shpesh perceptohet edhe si një “hambar rezervë” nga i cili në rast krize arrijnë të mbijetojnë. Por përtej kësaj, me diasporën ironizohet duke e cilësuar si më inferiore dhe anakronike. A kanë të drejtë për këtë cilësim?
Liri Loshi: Kualifikimet e tilla për diasporën janë të pa menduara dhe janë fyese. Është fjala për dallimet kulturore që ke me tjetrin kur ai, i gjendur përballë një shoqërie të re, inkorporon vlera të reja kulturore që për njeriun që nuk ka lëvizur nga vendi i vet, duken të çuditshme. Njeriun e diasporës e shquan kultura perëndimore e punës, për të cilën nuk ka mirëkuptim nga ata që rrinë ditë e natë nëpër kafenetë dhe restorantet e Kosovës. Kultura e mërgimtarit është lojaliteti që ai ka ndaj shtetit dhe ndaj punës dhe kjo kulturë i duhet Kosovës para se mërgimtari të fillojë për të investuar në Kosovë.
Albinfo.ch: Janë disa tema që përfliten prej vitesh si “tema tipike të diasporës”: Kartoni i Gjelbër, mbështetja e shkollës shqipe në diasporë, votimi i diasporës në zgjedhjet kosovare, përfaqësimi i saj në parlament etj. A janë këto problemet kryesore që ka diaspora jonë, sipas jush?
Liri Loshi: Po, ato janë çështjet që e preokupojnë mërgimtarin, çështje këto që provojnë ta bëjnë integrimin e mërgimtarit me atdheun në planin politik, kulturor dhe ekonomik.
Albinfo.ch: A ka Lëvizja Vetëvendosje ndonjë ofertë më specifike për diasporën, në krahasim me partitë tjera garuese?
Liri Loshi: Vetëvendosjen do ta shquajë vendosmëria për rend dhe ligj. Pastaj vijnë idetë dhe kreacioni politik që ne i kemi me bollëk. Me Vetëvendosjen pushon epoka e korrupsionit, epoka e haraçit, epoka e nepotizmit dhe degradimi moral e politik dhe fillon epoka e shtetndërtimit të mirëfilltë. Vetëvendosje në bashkëpunim me diasporën do t`ia ndërrojnë fizionominë atdheut duke e bërë atë atraktiv për rininë dhe gjithë njerëzit e tij.
Albinfo.ch: Po jashtë diasporës, cilat çështje mendon se do ta marrin më shumë vëmendjen dhe angazhimin tuaj si deputet?
Liri Loshi: Roli im mes diasporës dhe njeriut të Kosovës do të jetë në harmoni me atë që unë vërtet jam, njeriu i dy botëve qe i përjeton dhe i bashkon ato. Kam shume ide dhe shumë entuziazëm. Do të bëjmë gjera te mëdha se bashku. Do ta krijojmë momentin e shumëpritur kur rinia fillimisht nuk do ta ketë alternativë të vetme mërgimin e më vonë kjo alternativë nuk do te jetë atraktive fare.
Albinfo.ch: Nëse zgjidheni deputet, ju sigurisht duhet të qëndroni të shumtën e kohës në Kosovë. A mendoni që mbase të ktheheni përgjithmonë atje?
Liri Loshi: Tashmë unë jam kthyer në atdhe. Përfundimisht.
Albinfo.ch: A pritni që në zgjedhjet e ardhshme ne, diaspora, të kemi mundësi më komode të votimit, si për shembull në përfaqësitë konsullore e diplomatike të Kosovës?
Liri Loshi: Ndryshimi i ligjit zgjedhor në favor të mergimtareve do të jetë prioritet ynë i parë, pra jo vetëm imi por edhe i Levizjes Vetëvendosje.
Biografia
LIRI LOSHI u lind më 20.08.1960 në Skënderaj. Aktualisht jeton në qytetin e Halifax të Kanadasë.
Loshi ka përfunduar Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës – 1989. Ai ka punuar si mjek në Skënderaj dhe Runik deri në vitin 1998. Në mars 1998 i është bashkuar UÇK-së, ku ka shërbyer në cilësinë e mjekut, si dhe komandantit për moral në Brigadën 112, si dhe ka punuar si reporter lufte për TVSH.
Ka punuar si hetues kërkimor shkencor në Dalhouse University e pastaj si mjek asistent në Klinikën e Nefrologjisë dhe së fundi në Kirurgjinë Patologjike. Momentalisht udhëheq kompaninë e tij private në Halifax.
Gjatë kohës së studimeve ka punuar si gazetar e më vonë si redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re”, ndërkohë ka shkruar poezi për fëmijë dhe të rritur. Ka tre tituj të botuar me poezi për fëmijë: “Të kisha mustaqe” – 1983, “A flet zemra” – 1984 dhe “Udhët e Tokës” 1988. Në maj të vitit 1999 ka arritur ta kalojë në Tiranë filmin e bërë pēr masakrën e Izbicës, dhe nga aty e ka dërguar një kopje në Shtëpinë e Bardhë, një në zyret e NATO-s, dhe disa kopje mediave tē huaja, duke ndikuar kështu në rrjedhat e përfundimit të luftës.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce Pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur "Si fëmijë të migrantëve nga Kosova, ne u përballëm herët me pyetjen se çfarë do të...
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
Jeta në Zvicër
-
Priten reshje të dendura bore në Zvicër: Këto rrugë tashmë janë mbyllur Nga e enjtja e tutje me gjasë do të ketë shumë borë në pjesë të mëdha...
-
Zviceranët do të votojnë për natyralizim më të lehtë
-
Më shumë fleksibilitet për të ndryshuar mbulimin e sigurimit shëndetësor në Zvicër
-
Këshilli Federal rekomandon refuzimin e “Iniciativës foie gras”
-
Cilat janë kooperativat zvicerane të strehimit dhe a mund t’i aksesoni ato?