Lajme

Stuhi në Gjermani, përmbytje në Francë, evakuohen disa familje

Thuhet se kryeministri francez do të shpallë gjendjen e katastrofës natyrore pas përmbytjeve që përfshinë veriperëndimin e Francës, ku dhjetëra familje u detyruan të evakuohen nga banesat e tyre, përcjell albinfo.ch.

Po ashtu, moti i keq ka përfshirë edhe Gjermaninë, teksa të shtunën një prej kampeve më të mëdha të të pastrehëve u evakuua pas parashikimeve për një stuhi dëbore, ndërsa në Berlin temperaturat kanë arritur në minus 8 gradë celsius.

Duhet theksuar se në Gjermani dhe Holandë stuhia ‘Darsi’ pritet të sjellë erëra të forta dhe reshje dëbore. Edhe pse nuk dihet numri ekzakt i të evakuarve, autoritetet vendore kanë përgatitur 50 tenda në rast se do të nevojiten për personat e evakuuar.

“Ne kemi mundur të gjejmë strehë për të gjithë personat e evakuuar dhe do të kujdesemi që t’i akomodojmë duke ruajtur masat e pandemisë COVID-19. Të gjithë personat do të kenë mundësi të shpenzojnë fundjavën në ambiente të ngrohta dhe të mbrojtura”, tha Kevin Hönicke, kryetar i Bashkisë së Berlinit.

Sipas parashikimeve të meteorologëve gjermanë, reshjet e dendura të dëborës do të vazhdojnë deri të hënën, teksa në veri pritet që niveli i dëborës të arrijë deri në 40 centimetra. Në Berlin temperaturat priten të ulen deri në -8 gradë celsius gjatë ditës dhe -12 gradë gjatë natës.