Lajme

Një arritje tjetër në fushën e arsimit ndërmjet SHBA-së dhe Shqipërisë

Një arritje tjetër në fushën e arsimit ndërmjet SHBA-së dhe Shqipërisë, pas nënshkrimit të marrëveshjes së “Fulbright” në muajin shtator 2019, transmeton albinfo.ch.

Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, studentët dhe trupa pedagogjike e Fakultetit të Mjekësisë Dentare në Tiranë do të kenë mundësi të marrin një eksperiencë të vyer në një nga institucionet prestigjioze në SHBA në këtë fushë.

Një falënderim i veçantë për përfaqësuesit e Universitetit Rutgers, New Jersey, dhe Fakultetit të Mjekësisë Dentare të Tiranës që përqafuan menjëherë këtë iniciativë dhe bën të mundur finalizimin e saj edhe gjatë kushteve të vështira të pandemisë.

Postimi i plotë:

Finalizohet bashkëpunimi zyrtar ndërmjet UMT dhe Fakultetit të Mjekësisë Dentare me “Rutgers School of Dental Medicine” të New Jersey, USA.

Ky bashkëpunim u iniciua që në muajin mars 2020 nga Ambasadorja jonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zonja Floreta Faber, drejtues e përfaqësues të FMD dhe drejtues  të lartë e personalitete të Rutgers School of Dental Medicine të New Jersey, duke planifikuar gjithashtu edhe një vizitë zyrtare të përfaqësuesve e drejtuesve të Rutgers School të New Jersey në UMT e FMD. Për shkak të situatës së pandemisë, kjo vizitë pritet të realizohet në një periudhë më të përshtatshme epidemiologjike.

Ky bashkëpunim shumë i rëndësishëm me partnerë prestigjozë ndërkombëtarë, i pari bashkëpunim i FMD me një Universitet amerikan, synon mobilitetin e stafit akademik dhe të studentëve nga FMD e UMT pranë Rutgers School, USA, si dhe shkëmbime të karakterit akademik-shkencor dhe mundësi të njohjes së studentëve tanë me të rejat shkencore të dentistrisë Amerikane, të paraqitura nga përfaqësues të Universitetit të New Jersey!

Shpresojmë që ky hap i parë i një bashkëpunimi kaq të rëndësishëm të zgjerohet e të fuqizohet në vijim, duke përfshirë e duke krijuar edhe mundësi më të mëdha për studentët e stafin e FMD e UMT.